Shkon në 25 numri total i viktimave me COVID-19 në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në spital një 90 vjeçar nga Fieri i infektuar me koronavirus, i cili kishte sëmundje bashkëshoqëruese, diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni. Ai ndodhej prej 11 ditësh i intubuar në Spitalin Infektiv.
Ndërkohë, 19 raste të reja me koronavirus janë identifikuar në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit nga 252 teste të kryera tek personat e dyshuar, mes tyre 44 janë personel shëndetësor.
“Edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarësisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qëndrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar”, tha zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Në total deri më tani në Shqipëri janë kryer 4558 teste, ku 494 kanë rezultuar pozitiv.
Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251. Një numër ky më i lartë se numri i rasteve aktive me COVID, që është 218.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë.