Pesë të arrestuarit të cilët akuzohen për përfshirjen në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dalin sot para GJKKO-së për masë sigurie. Hetimet treguan se grupi drejtohej nga Plarent Dervishaj, i cili tashmë është në kërkim bashkë me 2 të tjerë.
Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, 38 vjeç, agjent doganor (i afërm i Plarent Dervishaj), Endrit Sinani, 29 vjeç, Julian Pjetri, 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija, 54 vjeç do të njihen sot me masën e sigurisë.
SPAK shpalli në kërkim atë që e konsideron organizator të komplotit, Plarent Dervishaj. Ish-kunati i ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës, ndodhet në Dubai, aty ku u arrestua rreth 1 vit më parë si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lames ne 2005-ën, por u la i lirë në mungesë të një marrëveshje ekstradimi. Më 20 qershor 2019 Plarent Dervishaj i shpëtoi breshërisë së plumbave që u lëshuan ndaj makinës së tij, ku ndodhej bashkë me Bashkim Haxhijan, i arrestuar këtë të premten në operacionin Komploti dhe me Julian Meçen në kërkim.
I dyshuar për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit, është edhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. Të enjten SPAK dhe BKH bastisën shtëpinë e Ramazan Rrajës në Nikël të Fushë-Krujës, por pa rezultat. Në kërkim për operacionin “Komploti” është edhe një person i katërt, të cilit policia i ka publikuar vetëm inicialet, A.SH, që njihet me pseudonimin “Badi”, mik i Plarent Dervishaj. Burime nga SPAK thanë se ka dyshime që të dy të jenë në Dubai.
Indiciet për këtë grup i ka dhënë fillimisht Nuredin Dumani, por ka dy bashkëpunëtorë të tjerë të drejtësisë që kanë folur, duke dhënë detaje dhe prova të përfshirjes së këtyre personave në tentativën për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja, që në atë kohë ishte në makinë me shoferin, Andi Maloku fatkeqin e këtij atentati, dhe Aleksandër Lahon, të njohur si Rrumi i Shijakut, një person me precedentë penalë. Pas kësaj dëshmie kyçe të dëshmitarëve të drejtësisë që autoritetet i ruajnë duke mos i nxjerrë emrat, operacioni policor me përfshirje të forcave elitë RENEA u shtri në Tiranë, Durrës, Fushë Krujë dhe u kontrolluan 11 banesa.
Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, 11 orë dore të markave të shtrenjta, të cilat do të analizohen në vijim nga hetuesit deri në detaje. Policia ka pasur dyshime se ky grup i strukturuar kriminal mund të kishte fshehur nën tokë sende të paligjshme ndaj bëri kontrolle edhe me detektorë metalesh.
4 ditë pas atentatit të nëntorit 2019, policia arrestoi në atë kohë Ariol Halilajn dhe Redjan Rrajën, të afër të deputetit socialist, me profesion mjek stomatolog i përfshirë edhe në rastin e Xhisiela Malokut, vajzës të lidhur me djalin e deputetit Rraja, Rexhepin, dhe që trazoi edhe ujërat e politikës pas dëshmive se ishte dhunuar prej tij. Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë vijon gjykimi për 2 të pandehurit Halilaj dhe Rraja dhe procesi është pothuajse drejt fundit.
Të akuzuarit dhe akuzat
Të arrestuar: Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku (40 vjeç) që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka (38 vjeç), Endrit Sinani (29 vjeç), Julian Pjetri (45 vjeç) dhe Bashkim Haxhija (54 vjeç).
Të shpallur në kërkim: Julian Meçaj, Plarent Dervishaj që dyshohet se ndodhet në Dubai dhe Ramazan Rraja, i cili nuk ndodhej në shtëpi ditën e djeshme kur u ushtrua kontroll. Ata janë të tre jashtë vendit dhe po punohet me autoritetet e huaja për arrestimin e tyre. I katërti i shpallur në kërkim është identifikuar si A.SH. (alias D. Sh).
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Laho, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Atentati ndaj prokurorit Ndoja
Në vitin 2019 një atentat me breshëri automatiku iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoj pranë mbikalimit të Shkozetit. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi). i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.