Leja e qarkullimit të automjeteve do të ndryshojë formë dhe përmbajtje së shpejti. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka firmosur një urdhër e cila përcakton ndryshimet e reja.
Sipas vendimit të botuar në fletoret zyrtare leja e re e qarkullimit do të jetë e baras-vlefshme me certifikatën e pronësisë, ndërkohë që aktualisht ka dy kartona të ndryshëm që i dokumentojnë këto dy elementë. Prodhimi dhe plotësimi i lejes së re të qarkullimit do të bëhet sipas një rregulloreje të hartuar nga DPSHTRR.
“Leja e re e qarkullimit të jetë sipas modelit bashkëlidhur këtij urdhri, i cili është në përputhje të plotë me direktivën Evropiane 1999/37/EC, datë 29.4.1999, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit “Për dokumentet e regjistrimit të mjeteve”, të ndryshuar, dhe sipas propozimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me shkresën nr. 17699 prot., datë 21.9.2020, “Projekt propozim mbi modelin, specifikimet dhe mënyrat e plotësimit të dokumentit të qarkullimit, të ri, të mjeteve rrugore”.
Leja e re e qarkullimit të jetë e baras- vlershme me certifikatën e pronësisë.
Prodhimi dhe plotësimi i lejes së re të qarkullimit të bëhet sipas rregullores së hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor“, thuhet në vendim.