Më e mira po vjen, për ata që e kërkojnë – Nga Alba Malltezi

Hapa të vegjël, trasformim i ngadaltë, përpjekje të përditshme, por ndryshimi po ndodh. Çdo ditë e më shumë shtohen shqiptarët ndryshe, shqiptarët e mirë, shqiptarët e mendimeve konstruktive dhe të punës. Rrjetet sociale janë një matës i sipërfaqes, e pas sipërfaqes ndryshimi do të kryhet përherë e më thellë. Ne, shqiptarët, “adoleshentë” të qytetërimit modern të Europës, që në gjithë këto vite pas daljes nga “kafazi” i diktaturës kemi mbetur peng i ndjenjave tona ekstreme, po ndryshojmë. Ne të urrejtes ekstreme e të dashurisë pa kufi, po zbulojmë se ka dhe një rrugë të mesme: rruga e qytetarisë, respektit, mirësjelljes, por sidomos rruga e të qënit të drejtë dhe rruga e peshës së fjalës.

Duke qenë optimiste e pakorrigjueshme, ndoshta shoh e ndjej në ajër grimca që janë të padukshme e të paperceptueshme për realistët dhe pesimistët në vendin tonë, por besoj se rruga e daljes në dritë është e pashmangshme.

Të kërrusur gjithë këto vite nën peshën e sharjeve, shpifjeve e përuljeve të kollajta, nuk kemi mundur të shohim qiellin e bukur shqiptar, lëndinat, kodrat, lumenjtë e pemët. Nuk kemi mundur të zbukurojmë e të pastrojmë oborret, ballkonet e dritaret tona, nga zilia e cmirësia që na ka rënduar këmbët duke parë jetën e të tjerëve e duke dëgjuar të tjetër se çfarë thonë për ne. Ne, që oborret, sokakët, rrugicat, i kemi mbajtur përherë të mrekullueshëm. Ne, që bënim garë se kush ka më shumë trëndafila dhe pemët më të bukura, harruam këto vite ta bëjmë. Në rrjetet sociale u bënë më të shumtë ndjekësit e qaramanëve, të shpifarakëve, të manipuluesve. Sa kollaj, edhe njeriu që dukej mëse normal, vendoste pëlqime sapo dikush “fëlliqte” një tjetër. Askush nuk e peshonte apo edhe peshon fjalën para se ta thotë, ndërsa kryqëzon viktimën e radhës jo se e ka njohur vetë, ka parë apo ka dokumentuar sharjen, por mjafton me një përshtypje të të tjerëve. Por sa do të vazhdojë kjo lajthitje kolektive, kjo zili ngjitëse e urrejtje zinxhir?

Do të vazhdojë derisa secili prej nesh, me radhë, njëri pas tjetrit, të kuptojmë vlerën e natyrës dhe të efekteve të mira të saj mbi ne, vlerën e punës e sidomos moshumbjen e kohës me gjëra e njerëz që nuk i njohim e nuk na përkasin jetët e tyre. Në këto kohë karantine shumë bashkëatdhetarë me foto, fjalë, veprime i thurin himn natyrës dhe gjërave të vlefshme në jetë. Evokojnë logjikën në vend të ulërimave, duke treguar se është e vetmja rrugë e drejtë dhe e mirë. Shtohen përditë e më shumë shqiptarët e fjalës dhe të fakteve, duke u larguar nga errësira e fjalëkëqinjve dhe sa më shumë të bëhen, aq më mirë punët dhe jeta do të shkojë edhe në Shqipëri. /Shqiptarja.com

Please follow and like us:
fb-share-icon