Policia: Gjetëm një ndërtim pa leje, punëtorët përfunduan në pranga, pronari iku në drejtim të paditur

Vlorë/Ndërtimet e paligjshme, Policia vijon kontrollet në territorin e qarkut.

U kapën në flagrancë duke kryer punime në një objekt në të cilin ishin pezulluar punimet, vihen në pranga 3 shtetas (administratori dhe 2 punonjës të firmës së ndërtimit).

Shpallet në kërkim pronari i firmës së ndërtimit që po kryente punimet në objektin 4-katësh.

Në zbatim të planit të veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrollit të territorit, në lagjen “Uji i ftohtë”, kanë evidentuar një rast të punimeve të ndërtimit, në një objekt në të cilin organet kompetente kishin pezulluar punimet.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. F., 41 vjeç, administrator i firmës së ndërtimit që po kryente punimet;

P. M., 46 vjeç dhe B. T., 19 vjeç, të dy punëtorë të kësaj firme ndërtimi.

Gjatë kontrollit të territorit nga Policia, këta shtetas janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi në një objekt 4-katësh, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në kundërshtim me vendimin e autoriteteve kompentente, të cilat kishin pezulluar punimet në këtë objekt.

Pronari i firmës së ndërtimit që po kryente punimet në objektin 4-katësh, shtetasi A. H., 38 vjeç, banues në Vlorë, u shpall në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Please follow and like us:
fb-share-icon