Ministrja Kumbaro njoftoi se strukturat e përkohshme të shërbimit, të quajtura ndryshe si “beach bar” kanë kaluar nën filtrin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe janë publikuar lejet për to.
“Për sa i përket strukturave të përkohshme të shërbimit, këtë vit është bërë maksimumi nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili ka miratuar të gjitha lejet e beach-bareve në koordinim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkive, duke i publikuar ato edhe online. Kjo është hera e pare që ndodh.
Nga ana tjetër, për menaxhimin e stacioneve të plazheve nga subjektet private kishim 540 aplikime të kualifikuara, por 24 rezultojnë se nuk kanë shlyer detyrimet tatimore. Për këtë shkak, siç e kemi njoftuar që në janar, nuk do t’u lidhet kontrata. Të gjithë kanë edhe detyrimin për të pasur rojen bregdetare dhe për këtë do të ketë kontrolle”, tha Kumbaro.
“Bashkive u është kërkuar të përgatisin planet për menaxhimin e zhurmave që përkthehen në ndalim të punimeve në territor dhe ndalim i zhurmave të larta, duke i dhënë prioritet qetësisë së pushuesve si një angazhim i kryeministrit që në nisje të mandatit për të pasur prioritet turizmin dhe mjedisin.
Prandaj edhe shumë vepra infrastrukturore i shërbejnë turizmit. Janë të rëndësishme kantieret e ndërtimit për zhvillimin e zonave, por përgjatë muajve të verës do t’u japim prioritet pushuesve”, njoftoi më tej Mirela Kumbaro.
Referuar të dhënave që vijnë nga turoperatorët, por edhe statistikave të vizitorëve të huaj gjatë muajve të parë të këtij viti, ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro u shpreh se pritet një fluks turistësh prandaj kërkoi vëmendje maksimale nga të gjithë.
Pjesë e takimit të Task Forces ishin drejtues të Policisë së Shtetit, të ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrisë së Kulturës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit etj.