Rreth 8 kilometra në lindje të Butrintit, e 17 km në jug të Finiqit, gjendet fshati Dobër. Pas më shumë se tri dekadash, në zonën e Vagalatit në Luginën e poshtme të Pavllës kanë rinisur gërmimet arkeologjike. Misioni shqiptaro-anglez, me studiues nga Universiteti i Oksfordit e Instituti i Arkeologjisë është në kërkim të të dhënave të reja, të cilat do ti ndihmojnë të hedhin dritë rreth kontekstit të skulpturave që janë zbuluar aty nga arkeologu Dhimosten Budina.
“Gërmimet Arkeologjike në Dobër zhvillohen në kuadër të një bashkëpunimi që Instituti i Arkeologjisë ka me Universitetin e OXford dhe natyrisht me partnerët tanë me bashkinë e zonës, në kuadër të rimarrjeve të gërmimeve arkeologjike në këtë vendbanim i cili është i njohur. Pra, është gërmuar më herët nga kolegët tanë Dhimosten Budina, Dhimitër Çondi në kohë të ndryshme. Synimi është për të kuptuar më mirë mënyrën e organizimit të territorit dhe rolin që kanë luajtur ndërtimet në këtë zonë, natyrisht dhe për përvijimin e historisë së vendbanimit dhe të territorit në përgjithësi”, thotë drejtorja e Institutit Arkeologjik, prof.asoc.dr. Belisa Muka.
Në nivelin e poshtmë, vijojnë kërkimet pranë murit të tarracimit që gjendet buzë rrugës Livadhja -Konispol. Arkeologët po përpiqen të pasurojnë të dhënat që vërtetojnë se kjo hapësirë është shfrytëzuar më gjerësisht. Ndërsa në nivelin e sipërm gjendet ndërtesa e fortifikuar, monument i shekullit të IV-III para erës së re, në të cilën arkeologu Dhimitër Çondi ka mbajtur disa ekspedita në vitet ’80.
“Siti i Dobras njihet prej një kohe shumë të gjatë. Ndër të parët arkeologë është Luigji Maria Ugolini në vitet e para ‘900, mandej Dhimosten Budina, arkeologu i madh apo arkeologu Dhimitër Çondi. Të gjithë këta arkeologë kanë gërmuar në këtë vend, e megjithatë ka ende mister për tu zbuluar. Ajo që shpresojmë të bëjmë këtu është që në vazhdë të punës sonë të kuptojmë se si ishte Dobra edhe në raport me pjesën tjetër të zonës. Sepse duke nisur nga muri i tarracimit, ne mund të vërtetojmë se këtu ka pasur një rrugë kryesore antike që lidhte qytetet e Foinikes dhe Butrintit. Dhe ky sajt mund të ketë pasur një rol kyç lidhës, një lloj dogane ndoshta, nëse mund ta themi në këtë mënyrë”, thotë studiuesi arkeolog Oliver Gilkes.
Krahas profesorëve të arkeologjisë, ekspeditës i janë bashkuar edhe të rinjtë, studentë të Oksfordit dhe të Universitetit të Tiranës
“Ata të gjithë studiojnë arkeologji dhe historinë e lashtë dhe kanë mundësi që të gërmojnë në këtë sit fantastik. Janë me të vërtetë duke rishkruar historinë në një farë mënyre; me të dhëna të reja që lidhen me ndërtesën e madhe anash rrugës dhe që mund të na çojnë në shumë zbulime të tjera interesante në të ardhmen. Shpresoj që të vijojmë këtë bashkëpunim me Institutin në Tiranë dhe sigurisht me mikpritjen e madhe që ne patëm nga banorët e fshatit Livadhja. Ne po mendojmë të kthehemi vitin tjetër me një grup tjetër studentësh dhe të vazhdojmë të zbulojmë më shumë për këtë ndërtesë. Këtu në Dobër!”, thotë dr. Milena Melfi, nga Universiteti i Oxford.
Janë mjaft të njohura artefaktet arkeologjike e skulpturat e gjetura në këtë zonë. Kjo kokë femërore, është njëra prej tyre. Mendohet ti përkasë perëndeshës Dhimitra e të jetë e shekullit të III p.e.s. U zbulua në Dobër në vitet 1912-1913, por mbahet në muzeun Arkeologjik të Janinës. Po ashtu busti i perëndeshës Artemisë, dhe ai i perëndeshës Dhimitra, janë gjendur po në Dobër. Ndërsa kërkimet e reja që priten të shtrihen dhe në vitet që pasojnë, do të pasurojnë jo vetëm historinë e kësaj zone, por pritet ti shërbejnë edhe zhvillimit të turizmit…
“Besoj bashkëpunimi do të jetë i gjithanshëm. Me perspektivë për të ardhmen dhe për të zhvilluar turizmin në bashkinë e Finiqit dhe në njësinë administrative të Livadhjas”, shprehet nënkryetari i Bashkisë Finiq. SHQIPTARJA.COM
VIDEO në youtube https://youtu.be/PS3IGMh2_-0