Gjykata e Sarandës vendos masën e arrestit në shtëpi për çiftin e bashkëshortëve farmacistë të arrestuar dje

Gjykata Sarande
Gjykata Sarande

Gjykata e Sarandës vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për çiftin e bashkëshortëve Kristo dhe Aleksandra Angjeli.

Ata u arrestuan dje pasi në farmacinë dhe shtëpinë e tyre u gjetën medikamente në vlerën e rreth 70 mijë euro kontrabandë nga Greqia.

Policia e Sarandës zhvilloi një operacion, i cili nisi në lagjen nr. 2, Sarandë, ku shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasve Kristo Angjeli dhe Aleksandra Angjeli (bashkëshortë), gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët, sipas Policisë, janë munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Please follow and like us:
fb-share-icon