Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla është shprehur se ndryshimet për ligjin e medias janë tërhequr nga propozuesit. Në një deklaratë para mediave, u shpreh se në Kuvend vijon të qëndrojë rezoluta kundër dezinformimit pasi ekziston rreziku i financimit të mediave nga Rusia.
E para, dua t’ju them se ndryshimet në ligjin për median, që kanë të bëjnë me shpifjen janë tërhequr nga propozuesi. Kur propozuesi tërhiqet, e gjithë iniciativa ligjore bie. Dua t’ju rikonfirmoj se ne e kemi tërhequr ato ndryshime ligjore që janë bërë para tre vitesh.
Në kushtet që jemi, edhe në shumë vende ka rezoluta në PE kundër dezinformimit dhe ne kemi miratuar një rezolutë të tillë dhe në fakt kemi një rrezik të vazhdueshëm që sponsorizohet me rublat ruse. U tha qartë që Rusia ka ndikuar në minimin e demokracisë, duke favorizuar edhe mediat. Ky pushtet i katërt duhet të mos bjerë në financimet e paligjshme nga aktorët që minojnë demokracinë. Duhet të mendojmë mekanizmat si të mbrojmë demokracinë duke mbrojtur financime nga aktorë jo miqësorë. Është sfidë e përbashkët. Jetojmë në një epokë të një rreziku të madh që vjen prej agresionit rus dhe nuk është luftë vetëm me Ukrainën, por dhe me demokracinë”,- tha Balla.