Përurohet Qendra e Regjistrimit dhe Strehimit për migrantët e parregullt në Qafë Botë

Përurohet Qendra e Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm për migrantët e parregullt në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë

Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Ministria e Brendshme përuruan sot Qendrën e Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm për migrantët e parregullt në pikën e kalimit kufitar Qafë Botë.

Ngritja e Qendrës së Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm ka ardhur si nevojë për fluksin e shtuar të migrantëve të parregullt që hyjnë në Republikën e Shqipërisë përmes pikës kufitare më jugore me Greqinë. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023 në territorin e Shqipërisë janë identifikuar 3596 migrantë të parregullt, prej të cilëve mbi 1500 kanë hyrë përmes kësaj pike kufitare. Për të siguruar kapacitetet e duhura për nevojat e identifikuara dhe për të siguruar aksesin në shërbime që trajtojnë vulnerabilitetet dhe mbrojnë të drejtat e migrantëve, IOM ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës së autoriteteve shqiptare për ngritjen e kësaj qendre.

“Organizata Ndërkombëtare për Migracionin është e përkushtuar në ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe mirëqenies së migrantëve, si dhe në ndihmën e qeverive për të përballuar sfidat operative të menaxhimit të migracionit. Qendra e re është një shembull që do të garantojë trajtimin dinjitoz të migrantëve dhe do të sigurojë, ndër të tjera, strehim, ndihmë mjekësore dhe siguri,” tha Alma Jani, Drejtuese e Zyrës së IOM-it në Shqipëri.

Qendra e Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm për migrantët e parregullt në Qafë Botë ka kapacitetin për të strehuar 60 persona, duke përfshirë hapësira të dedikuara për regjistrimin e migrantëve, intervistimin e individëve në kushte vulnerabël, hapësira miqësore për fëmijët, klinikë ambulatore dhe kontejnerë të dedikuar për të siguruar kushtet e duhura higjieno-sanitare.

Saimir Boshnjaku, Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, i pranishëm gjatë ceremonisë së inaugurimit të qendrës, tha: “Departamenti për Kufirin dhe Migracionin po merr mbështetje të vazhdueshme nga IOM për të siguruar kapacitetet e duhura për nevojat e identifikuara dhe për të ofruar shërbime në mbrojtje të të drejtave të migrantëve me standardet e duhura të një vendi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Kjo është hapësira e tretë, pas Qendrës së Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm në Drejtorinë e Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gërhot, Gjirokastër në vitin 2017 dhe asaj në pikën kufitare të Kapshticës në vitin 2019, që ngrihet në përgjigje të nevojave të migrantëve dhe autoriteteve shqiptare në menaxhimin e flukseve të migracionit.

Please follow and like us:
fb-share-icon