Butrinti, parku më i madh arkeologjik në vend ka mirëpritur mbi 80 mijë turistë nga Janari deri në Gusht. Edhe tani vazhdon të vizitohet kryesisht nga të huajt, që shprehen të mahnitur jo vetëm me objektet historike por dhe natyrën që e rrethon.
Parku Kombëtar i Butrintit, mbrojtur nga UNESCO është atraksioni më i vizituar në jug të vendit. Buthrotum-i antik i shtrirë rreth 3 km nga ngushtica e Korfuzit, është vendosur në një kodër të vogël, rrethuar nga ujërat e liqenit të Butrintit që lidhet me detin Jon nga kanali i Vivarit.
VIDEO nga Report TV https://youtu.be/2x-ukd29v5I
Ndodhet vetëm 17 kilometra larg nga qyteti i Sarandës dhe mund të mbërrini aty me makinë apo mjete të transportit publik.
Butrinti cilësohet nga vendas e të huaj si vend magjik. Atmosfera e tij speciale është krijuar nga kombinimi i arkeologjisë me natyrën.
“Butrinti na pëlqen sepse është një qytet antik dhe sidomos sepse është i rrethuar nga ujë dhe natyra e bukur gjithashtu. Po do ta rekomandonim edhe tek të tjerët.
Është një vend i bukur arkeologjikë dhe natyror. Është vendi më i bukur në Shqipëri.
Kemi 3 ditë këtu kemi ardhur në Sarandë dhe vendosëm të vizitojmë Butrintin. Meqenëse jemi në ditët e para të qëndrimit këtu, po bëjmë pak plazh dhe mësojmë për kulturën e historinë vendase…
Jam nga Holanda dhe është hera e parë që vizitojmë Butrintin më pëlqejnë shumë objektet e vjetra historike. Do ua rekomandoja të gjithë shokëve të mi.
Butrinti është i bukur, kam ardhur disa here sepse kam punuar në Shqipëri. Unë jam nga Hungaria dhe mendoj se si shtete kemi shumë të përbashkëta”, thonë turistët e huaj.
Në 8 muaj e parë të këtij viti Parkun Kombëtar të Butrintit e kanë vizituar 80 437 turistë, ose 42 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga shitja e biletave janë siguruar të ardhura të kënaqshme në vlerën e 52 milionë lekëve, tha drejtori i parkut, Everest Elmazaj.
Për monumentet e jo vetëm, Butrinti preferohet më shumë nga të huajt se sa vendasit.
Nga vendosja e tij strategjike Butrinti ka figuruar në historinë e Mesdheut që nga lufta e parë e Peloponezit në shekullin e 5-të para Kr. deri në luftërat e Napoleonit në shekullin e 19-të. Zemra e Parkut Kombëtar është qyteti Antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë.