Gjatë 20 muajve të fundit me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe SPAK janë prangosur 19 zyrtarë të administratës publike dhe 1 noter, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër zyrtar.
Për “shpërdorim detyre” dhe në disa raste edhe për “korrupsion pasiv” janë arrestuar 6 zyrtarë të ASHK Sarandë, 8 zyrtarë të Bashkisë Sarandë, 2 zyrtarë të ARZM Vlorë dhe Sarandë, 2 zyrtarë të IKMT, 1 zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, 1 noter, si dhe është shpallur në kërkim 1 zyrtar i ASHK Sarandë.
Arrestimet janë shtrirë në dy raste në Vlorë dhe Tiranë për shkak të lidhjes që është gjetur në veprën penale me qytetin e Sarandës. Ndërkaq, veç 21 zyrtarëve të mësipërm, Prokuroria e Sarandës ka dërguar për gjykim edhe një ish-zyrtar të IKMT dhe një mjek të spitalit të Sarandës, pasi SPAK kishte nisur më parë procedimin për ta, por dosja më pas është transferuar në Sarandë.
Nga 20 zyrtarët e arrestuar, vetëm 8 kanë vuajtur një periudhë kohore në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa nuk dihet nëse kjo masë do të vazhdojë edhe për 4 të arrestuarit e ditës së djeshme, që mund të rrisë numrin në 12. 8 zyrtarë të tjerë menjëherë pas arrestimit janë lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” ose “Arrest shtëpie”.
Ndërkaq, 2 ish-zyrtarët për të cilët SPAK ka sjellë dosjet në Sarandë, po gjykohen në gjendje të lirë deri në vendimin e formës së prerë.