Nis gjyqi për të akuzuarit e Tunelit të Skërficës, të pandehurit kontestojnë dëshmitarët e SPAK

Tunelin i Skerfices rruga Kardhiq - Delvine - Sarande
Tunelin i Skerfices rruga Kardhiq - Delvine - Sarande

Ish-drejtorja e ARRSH Sonila Qato dhe të pandehurit e tjerë për aferën në tenderin e tunelit në rrugën Kardhiq–Delvinë, kontestuan situacionet dhe aktet e kolaudimit të kryera nga shoqëria supervizore Albania Gr për punimet e shoqërisë “Gjoka…” në rrugën e Arbërit, duke i ballafaquar dy dëshmitarët që vinin nga kjo kompani me provat e tyre, ndërsa ngritën dyshime se ata ishin në kushtet e konfliktit të interesit.

Nga Edmond Hoxhaj – Reporter.al

Seanca gjyqësore të martën më 19 dhjetor për çështjen penale në ngarkim të ish-drejtores së Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Sonila Qato si dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, u dominua nga pyetjet e të pandehurve dhe avokatëve të tyre drejtuar tre dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria.

Në pjesën më të madhe të seancës që zgjati rreth katër orë, paraqitën dëshmitë e tyre administratori i shoqërisë GR Albania, Realdo Mansaku dhe ish-drejtori teknik i shoqërisë së tij, shtetasi turk Ahmed Burak Gotek, të cilët kanë qenë në rolin e supervizorit të punimveve në rrugën e Arbërit, të kryera nga shoqëritë “Gjoka 87” dhe nënkontraktori “Gjoka Konstruksion”. Dy prej dëshmitarëve të thirrur për të dëshmuar të martën nuk u paraqitën dhe u ripësërit lajmërimi i tyre. Po ashtu, për në seancën e ardhshme që do të zhvillohet më 9 janar në orën 11:00 u vendos njoftimi edhe për tre dëshmitarë të tjerë të kërkuar nga prokuroria.

Qato dhe vartësit e saj akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, SPAK se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq – Delvinë. Shoqëria “Sulova Ndërtim Prodhim” pjesë e bashkimit të operatorëve që u rendit fillimisht i pari, vlerësohet prej SPAK se është krijuar formalisht për të përfaqësuar në këtë procedurë tenderimi interesat e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, që sipas akuzës ishte fituesja e vërtetë e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH-së. Qato dhe vartësit e saj i kanë mohuar akuzat.

Pyetjet në seancën e të martës u përqendruan në verifikimet e kryera nga ARRSH për punimet e kryera nga shoqëria “Gjoka…” në rrugën e Arbërit, që janë përdorur prej kësaj të fundit për të vërtetuar kriterin e punimeve të ngjashme në procedurën e tenderit për tunelin e Skërficës, që ishte vendosur si kusht për të garuar.

ARRSH ka ngritur grup pune në vitin 2019 për të verifikuar punimet e kryera nga kompania “Gjoka…” në tunelet e rrugës së Arbërit, që i ishin dhënë me koncesion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kontrolli erdhi pasi kjo shoqëri garoi për tenderin 19 milionë euro në rrugën Kardhiq –Delvinë, duke pretenduar se ishte skualifikuar me të padrejtë.

Sipas SPAK, ARRSH ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifikim e kompanisë “Gjoka” nga tenderi”. Prokuroria i akuzon anëtarët e grupit të punës për “Falsifikim të dokumenteve”, me argumentin se kanë përgatitur në të njëjtën ditë dy raporte që ndryshojnë nga përmbajtja.

Gjithashtu, pretendohet se përmbajtja e këtyre raporteve ka rezultuar në kundërshtim edhe me dokumentacionin e dorëzuar nga ana e bashkimit të operatorëve “Gjoka Konstruksion”, si dhe janë vlerësuar prej prokurorisë tërësisht të ndryshme nga të dhënat e përftuara nga procesverbali i këqyrjes së realizuar nga Policia Gjyqësore apo dhe aktit të ekspertimit të kryer nga ana e ekspertëve të caktuar nga SPAK.

SPAK konstaton ndër të tjera, se i pandehuri Simon Prendi ka qenë njëkohësisht anëtar i KVO-së dhe i grupit të punës, duke u gjendur në situatë të hapur konflikti interesi. I pandehuri Prendi dhe të pandehurit e tjerë drejtuan të martën pyetje të shumta teknike ndaj dy dëshmitarëve, lidhur me situacionet e punimeve dhe aktet e kolaudimit. Sipas Prendit, nga shoqëria GR Albania janë kryer dy situacione të ndryshme, një e nënshkruar që është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa tjetra e panënshkruar nga administratori Realdo Mansako, që është depozituar në ARRSH. Lidhur me situacionin e panënshkruar, Mansaku pohoi se ai ishte një akt që ishte krijuar për shoqëritë ndërmjet tyre.

Dëshmitarët Realdo Mansaku dhe Ahmed Burak Gotek deklaruan se verifikimet e punimeve kryheshin periodikisht dhe vetëm për gjendjen e punimeve në momentin që kryhej inspektimi. Sipas tyre, nuk kishte akt situacioni apo kolaudimi përfundimtar të veprës. Shtetasi turk vërejti se ishte njoftuar nga policia mbrëmjen të hënës dhe se i nevojitej të konsultohej me mijëra dokumente për të dhënë përgjigje të veçanta për çdo pyetje. Ndërkohë, ai shtoi se punimet nuk mund të verifikoheshin kur përfundonte gjithë vepra, pasi disa prej tyre mbuloheshin me vijimin e punimeve dhe për këtë arsye verifikimi kryhej sapo përfundonte një zë i punimeve. “Më tregoni foto e më thoni se çfarë ka poshtë tokës, si mund ta them këtë”, pohoi Gotek dhe shtoi se të gjitha punimet e fshehta që nuk duken aktualisht janë fotografuar gjatë kryerjes së verifikimeve në terren nga stafi.

Edhe Mansaku vërejti se ai ishte administrator dhe se për aspektet teknike ishte stafi që ishte kujdesur.

Të pandehurit dhe avokatët e tyre paraqitën foto të tuneleve dhe raporte supervizimi e kolaudimi, duke vërejtur se punimet në rrugën e Arbërit nuk ishin përfunduar nga shoqëria “Gjoka…” në periudhën kur ishte kryer kontrolli nga ARRSH e ngritur dyshime mbi vërtetësinë e akteve të shoqërisë GR Albania.

Po ashtu, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre pretenduan se GR Albania ishte në konflikt interesi me shoqërinë “Gjoka”, pasi për punimet e kësaj të fundit në rrugën e Arbërit kryente rolin e supervizorit, ndërsa kishte qenë pjesë e bashkimit të operatorëve për tiunelin në rrugën Kardhiq – Delvinë.

Administratori i GR Albania, Realdo Mansaku deklaroi se kishte qenë bashkëpunëtor me kompaninë “Gjoka…” vetëm për projektin. Sipas Mansakut, përfitim kishin pasur vetëm tek projekti. Ai tha se nuk i kujtohej se në çfarë mënyre e kishte ftuar kompania “Gjoka…” për t’u bashkuar në garën për tenderin e tunelit në rrugën Kardhiq – Delvinë.

Në seancën e të martës u pyet edhe dëshmitarja Malvina Çela, ish-juriste në ARRSH në periudhën e procedurës së tenderit. Ajo tha se kishte qenë pjesë e një grupi inspektimi në rrugën e Arbërit, të ngritur me urdhër të titullarit të institucionit. Sipas Çelës, kishin kryer raportin me ato çfarë kishin parë në terren. E pyetur nga mbrojtësit e të pandehurve, ajo deklaroi se punimet në tunelet që kishin inspektuar nuk kishin përfunduar.

Please follow and like us:
fb-share-icon