Vendimi i qeverisë: Task Force për ujërat e ndotura që derdhen nga bizneset në det

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në përfundim të mbledhjes së sotme të qeverisë, njoftoi se qeveria shqiptare do të krijojë një task forcë të dedikuar për inspektimin, kontrollin dhe shëndetësimin e të gjitha subjekteve, sidomos në zonat turistike për të përmirësuar infrastrukturën e trajtimit të ujërave të ndotur që shkarkohen në ujërat larës: det, lumenj apo liqen.

“Është një akt normativ që vjen si propozim i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të bërë një kontroll të rreptë në të gjithë territorin, në këto territore të ujërave larës që thashë, në bashkëpunim me të gjitha subjektet private të cilat do të duhet të bëjnë akoma më shumë për përimirësimin e shërbimit dhe për të ruajtur standardet që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave ndotës që prodhohen nga shtimi i lartë i popullsisë në sezonin turistik”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Vendimi i dytë i mbledhje së sotme të qeverisë ishte  një rishikim i një vendimi të Këshillit të Ministrave që ka të bëjë me rregullat dhe procedurat për aplikimet që ndjekin të gjitha subjektet private në vlerësimin e ndikimit në mjedis.
“Me gjithë procesin e digjitalizimit që kemi bërë në shërbimet publike, një pjesë e këtyre dokumenteve, nuk do t’i kërkohen më subjektit privat apo publik kur zhvillon një projekt, por do të merret nga vetë ekspertët, specialistët e vetë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe agjencive të varësisë. Shkurtojmë kohën e procedurës në fjalë nga rreth 60 ditë në vetëm 25 ditë dhe nga 23 dokumente që duhet të ngarkoheshin në sistemin online të aplikimit, shkojmë vetëm në 5 prej tyre. Është një lehtësi shumë e madhe që i vjen në ndihmë të gjithë sektorit privat, por edhe sektorit publik sa herë që bëhet fjalë për projekte zhvillimore”, njoftoi ministrja Kumbaro.

Synimi  i këtij vendimi është që dokumentet të cilat sigurohen nga vetë subjektet publike, nuk ka pse t’i sjellë subjekti privat, por do të garantohen nga vetë autoriteti që jep lejen. Dhe po kështu synimi i dytë është të nxiten investimet, të nxiten punësimet duke ua lehtësuar jetën nga barrat e tepërta të burokracisë të trashëguara nga traditat e mëparshme.

Please follow and like us:
fb-share-icon