Policia e Sarandës thotë se ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Sipas policisë 4 persona janë vënë në pranga pasi do të merrnin peng një 49-vjeç. Në pranga kanë rënë Juljan e Sandri Brinja, Gjergji Prenga dhe Angelos Tsimperis. Në makinën e 4 të rinjve u gjet një pistoletë.
Ditën e djeshme, në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas adiministrimit të informacionit, kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar një automjet tip “BMW”.
Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit , për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Këta shtetas dyshohet se në kërcënimin e armës do të rrëmbenin një shtetas 49 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta. ‘- njofton policia.