BARDHYL MALIQI – ZËRI POETIK MODERN I ILIRISË ANTIKE

BARDHYL MALIQI – ZËRI POETIK MODERN I ILIRISË ANTIKE

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Ka qindra vlerësime për poezinë tuaj nga disa prej portaleve dhe mediave ballkanike, me thënie nga më suprizueset, po përmend disa: profesoresha kroate Ana Ivelaj ju quan Zëri poetik modern i Ilirisë antike, gazetari dhe shkrimtari Ivan Raos ju quan gjigand i poezisë shqipe, poeti Maliqi flet me plotninë e shpirtit dhe me ndjesinë e zemrës. Në fakt, vepra e tij si një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme letrare, tani ka nevojë për t’u pranuar dhe dëshmuar edhe në rrafshin europian. Poeti dhe shkrimtari boshnjak Senahid Neziroviç ju konsideron bard të poetikës së krahasimit etj. Këto janë vlerësime reale apo si rëndom edhe tek ne, të hiperbolizuara?

Bardhyl Maliqi – Të gjitha vlerësimet e rëndësishme janë bërë nga personalitete të kulturës ballkanike, në to ka edhe dashamirësi, edhe subjektivizëm, edhe kufij relativë të njohjes edhe hiperbolizim, por ka dhe një mbështetje të argumentuar dhe reale. P.sh. Profesorja kroate Ana Ivelaj ishte shumë e motivuar nga poema ime Ankthi i Statujave dhe hiqte paralele me kulturën shqiptaro-kroate me atë ilire të Dalmacisë.Po kështu edhe profesore Nevenka Nekiç.  Ndërsa profesorë të tjerë kroatë pëlqenin klimën e poezisë, truallin metaforik të saj, motivet interesante etj. Vlerësimi Gjigand i poezisë shqipe është thjesht një hiperbolë letrare, ashtu siç është vlerësimi me çmim special për poemën time Akuarel për Zagrebin më tepër shenjë mirënjohje dhe dashamirësie e Unionit Paneuropian të Kulturës Kroate.  Më tepër më duken të mbështetura në një vlerësim real çmimi special i marrë në Kongresin e dytë të UNESKOS për Ballkanin zhvilluar në Atalanti (2011), pasi poema Perandoria e zogjve ishte plotësisht në aksin e tematikës së kongresit për vllazërimin e botëve, siç thotë edhe letra e vlerësimit që i përcollën ata Ministrisë sonë të Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit. Po kështu çmimi i Maratonës Poetike të Sarajevos ka më tepër mbështetje dhe argumentim, pasi poema Kur ndriçojnë pikëllimet ka një theksim të realiteteve të sotme socialpsikologjike ballkanike, këtë e thekson edhe në motivimin e çmimit akademiku Sabahudin Hadžialić (Sarajevo.2012) etj.

Disa libra të botuar, të fushave të ndryshme: letersi, pedagogji, psikologji, gjuhesi, e veçanërisht tërheqin vemendjen disa vëllime me poezi në gjuhën shqipe, angleze, kroate, rumune, botime të shumllojshme në dhjetra antologji ballkanike, 12 Çmime kombëtare e ndërkombëtare për penën tuaj, që dëshmojnë gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetët e mirënjohur në dekadat e demokracisë në atdhe. A ka diçka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë poet?

Bardhyl Maliqi – Fëmijëria më troket në kujtesë nga thellësitë e pavetëdijes, ajo me çikrikun e kohës nxjerr amfora kujtimesh të mbytura. Ndaj them se ç’vlerë kanë koralet apo luftanijet e zhytura në dete, para këtij dritësimi të çuditshëm? Gjyshja ka qenë e veçanta e patjetërsueshme e femijërisë sime. Ajo ishte nje grua e imët, por e fortë, kishte një djalë, vetëm babanë tim, dhe unë duke qenë fëmija i parë u bëra manari i saj. Ajo këndonte bukur, dinte mijra këngë. Ishte sqimëtare në zgjedhje, shumë e saktë në korrektime, ajo ishte Aristoteli im i parë, kam thënë dikur. E them edhe tani. Ka kohë që s’jeton më. Por Ëngjëll im mbrojtës zbret në tokë dhe ndalet tek rrota e mullirit, ku bluanim blihur. Aty m’u përgjakën gjunjët për herën e parë; atëherë kur qiparisi ishe më foshnjë se unë, një bistak fillestar. Tani mrekullohem vërtet, se sot ai është dhjetë bojë njeriu dhe kallet i gjithë brenda meje, ndaj unë ndihem i fortë sa dhjetë burra, si kurrë më parë. Ndaj them se ishull vetmitar nuk është kjo plagë që dhemb, shtëpia e fëmijërisë është thelb i saj, sa herë e gërvish aq herë përgjaket, atje në brendësinë e një shteti të huaj, ku çamërit kanë djepet dhe varret, atje ku shqip ligjërojnë burimet dhe shqip e kanë emrin arat dhe malet e rrëgjuar prej mallit. Atje ullinjtë e stërlashtë, limonët dhe portokajtë kurrë nuk harrojnë t’i ndezin llambadarët në të katër stinët e pritjes, me zemër në dorë prej dhimbjes dhe mallit.

-Cfarë ju ka pëlqyer në adoleshencë për të lexuar? Cilët nga autorët tanë pëlqeje më shumë?

Bardhyl Maliqi – Më tepër se librat kam lexuar natyrën, e kam adhuruar atë, e adhuroj edha tani. Por edhe për të lexuar kam lexuar mjaft. Ne leximin e kemi pasur edukatë, në shtëpinë tonë kishte libra të gjyshit, të babait dhe tonat, ndërsa sot ka edhe libra të fëmijëve tanë. Mbase leximet e mia i kanë favorizuar punët intelektuale të prindërve të mi. Nëna ishte mësuese e babi përgjegjës i qendrës kulturore të qytetit të Konispolit, aty ishte edhe kinemaja edhe biblioteka.  Po të perifrazoja poezinë time “MANGALLI I YJEVE” do të pasqyrohej pikërisht kjo klimë leximi.  Unë aty them se qielli më dukej si një mangall i madh i përmbysur. Nën thëngjijtë e tij sa herë më zuri gjumi, mbi qilimin e barit kur shfletoja Botanikën, pas venitjes së yjeve në brigjet e një lumi. Dhe më zgjonin kecat duke më kërkuar kryet për dyluftim, dhe më zgjonin ftujat duke kërkuar kripë në grushtin tim. Dhe më zgjonte zëri i gjyshes duke më thirrur emrin nëpër natë, dhe më zgjonte kërcinjve një thupër lofatë… Qielli një mangall i madh i prushuar, jashtë bëka ftohtë, unë zgjas të ngroh duart! Më beson apo jo Monda, por unë edhe sot zgjas duart t’i ngroh në mangallin e yjeve. E nëse përfytyrojmë një çast se këta yje janë shpirtrat e poetëve dhe shkrimtarëve, atëherë do të thosha se në femijërinë time dominonin librat e përkthyer nga gjuha ruse, angleze dhe frënge. Edhe autorët tanë i kam dashur shumë. De Rada, Naimi, Migjeni, Poradeci, Kadareja, por edhe shkrimtarët e trevës sime, atyre me origjinë nga Çamëria e kam fjalën, si Mitrush Kuteli, Faik Konica, Bilal Xhaferi etj. E megjithatë libri i parë që kam lexuar vërtet ka qenë një libër i dhuruar nga shkolla si nxënës i dalluar, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, i Profesor Bedri Dedes.  Kur ia kam thenë këtë profesorit e vërejta mirë se ju bë qefi. Kam qenë me studime pasuniversitare atëherë. Isha në shoqërinë e Profesor Bedriut dhe të Ismail Kadaresë. Kur i thashë Ismailit se disa nga poemat e tij i dija përmendësh, i rrezëlliu fytyra. Shkrimarët s’janë veçse fëmijë të rritur, gëzohen edhe për gjera të vogla.

-Cila ka qënë poezia apo tregimi i parë që keni shkruar?

Bardhyl Maliqi – Në femijëri kam pikturuar, piktura ka qenë dashuria ime e parë, për moshën parashkollore e kam fjalën. Megjithëse mund të them sa ato kanë qenë pasione binjake. Pas mbarimit te arsimit te detyrueshëm konkurova dhe fitova për të shkuar në liceun artistik, por një i njohur i familjes në praninë time i tha babit, ku do punojë pas kësaj, bojaxhi në komunale, ose dizinjator. Bojaxhi behej edhe pa shkollë. Babi  e dëgjoi me zemër të thyer. Çoje per gjuhë frenge, or burrë. Frengjishtja është gjuhë kulture, gjuhë diplomacie dhe arti. Dhe kështu u takuam bashkë në shkollën “Asim Vokshi” në Tiranë. Por pas nje jave erdhi nje urdhër i çuditshëm nga Ministria e Arsimit. Ata që kanë bërë rusisht në arsimin e detyrueshëm do ta vazhdojnë për rusisht të mesmen e gjuhëve të huaja. U mërzita shumë dhe desha të shkoja përsëri në lice. Por përdhunshëm u detyrova të vazhdoja për gjuhët e huaja. Mësueset shqiptare të rusishtes ishn robote të rregullave garmatikore. Mësuesja ruse më thoshte ditën e provimit me gojë të maturës, vazhdo fol se po i shpreh bukur mendimet. Gjirokastritja mistrece ndërhynte. Leri këto pallavra, po futu në analizë gramatikore. Kjo ishte arsyeja që në atë çast vendosa që arsimin e lartë ta ndiqja për letërsi ose filozofi. Megjithatë rusishtja më ka shërbyer mjaft. Poetët rusë isha në gjendje t’i përktheja mjaft mirë. Rusishtja më shërben edhe tani. Nëse e mban mend kabinatet e shkollës dhe stendat e letërsisë dhe të humorit i dizenjoja unë. Fillimisht kam shkruar poezi.  Poezinë e parë e kam shkruar dhe botuar në revistën  “Pionieri”, kur isha në klasën e  pestë. Ishte një poezi për krojet.  Konispoli kishte disa kroje, por ato kishin pak ujë dhe në to kishte radhë të gjata, grumbulloheshin shumë njerëz. Bëheshin biseda nga më të ndryshmet. Ato ishin universitete falas. Këtë gjendje përshkruaj. Natyrisht anën pozitive të saj. Figura që mbaj mend ishte se krojet jan si gjinjtë e nuses që mëkojnë me qumësht fëmijët. Toka ishte nusja. Po të shihje të mbjellat, drurët frutorë, vreshtat dhe ullishtet e Konispolit do të më thoshe se ke të drejtë. Këtë përfytyrim ruaj nga krijimi im i parë.

-Cilat janë temat më të pëlqyeshme në krijimtarinë tuaj? Sa janë motivet vetiake?

Bardhyl Maliqi – Temat më të pëlqyeshme janë ato që lidhen me vendlindjen, me famljen time, me Konispolin dhe me Çamërinë; në kuptim të mirëfilltë ato janë edhe vetiake, ra kanë një nënshtresëzim të fortë psikologjik. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët i mëkon vendlindja. Ajo është perëndesha e tyre e frymëzimit. A mund ta kuptoni De Radën pa Makin dhe Kalabrinë, po Naimin pa Frashërin, Kadarenë pa Gjirokastrën, Lazgushin pa Po(g)radecin, Dritëronë pa Menkulasin  apo Migjenin pa Shkodrën? Gjatë promovimit të botimeve të mia në Kroaci dhe në Bosnjë kjo m’u tha qartë nga profesorët kroatë. Prof. Dr. Ana Ivelaj apo Prof. Dr Nadia Nekiç u janë referuar posatçërisht këtyre krijimeve, p.sh. poemave: Shirat e vjeshtës (poemë për Konispolin), Jon, i dëshiruari im, Kur ndriçojnë pikëllimet, (poemë për Sarandën),  Një lis me degë na u rrëzua (poemë për babanë), Farëzat e grurit (poemë për nënën) etj. Por ka edhe një tjetër qerthull tematik të rëndësishëm. Thelbin e tij e ka ravijëzuar për herë të parë kritika boshnjake gjatë Maratonës Poetike të Sarajevos. Unë po e them me gojën e një ish nxënësi tim, Ylli Kolës, që ka studiuar filozofi. Ai thotë kështu: tek ky libër nëpërmjet ” zogjve ” janë nënkuptuar tema të cilat janë plagë të nxehta në këto momente për planetin, ambientalizmi, rracizmi, politika, liria etj. Por përzgjedhësi i krijimtarisë në marathonën poetike vëren edhe diçka tjetër, ja se si shprehet ai. “Historia e brendësisë së jetës me shkurtësinë e saj, të qenit i ri dhe i guximshëm brenda shpirtit të tij, poeti mund t’i bëjë pyetje të përçarta vetëvetes duke pirë kafen e përjetësisë. (Përzgjedhësi i Maratonës së Poezisë Sabahudin Hadžialić, Sarajevo, më  21.3.2012)

-A mund të na thoni një nga poezitë tuaja më të dashura? Për të dhënë një poezi cila është pjesa më e vështirë?

Bardhyl Maliqi – Mund të përzgjidhja disa prej tyre, por po iu referohem poezive të cilat iu parapëlqenin poetëve dhe kritikëve, p.sh. Ali Podrimjes. Kjo është një temë të cilën unë e kam diskutuar disa herë me të. Për mua pjesa më interesante, është nxitja, motivi poetik, ajo ç’ka bëhet shkas për ta shkruar një poezi, tregim apo esse. Psh. Tek poezia Pasqyrat, unë i referohem një rasti konkret ku unë dhe 7 vajza të shkollave Antoni Athanas, Hasan Tahsini dhe Namik Delvina të shpallura fituese në konkurset e Ministrisë së Arsimit dhe të Fondacionit për një shoqeri të hapur po shkonte në Tiranë. Pasqyra e autobuzit lëvizte dhe fatorinos i mbetën duart në të. Po kështu vajzat loznin, qeshnin, ngacmonin shoferin, këndonin këngë me hoka etj. Kjo paralele mes dy pasqyrave ishte intresante. Po ua citoj poezinë meqë është e shkurtër, ajo është vlerësuar me çmim në një konkurs ballkanik të zhvilluar në Sarandë në qershor 2007. Pasqyrat janë vajza tekanjoze, /Naïve, çapraze, herë-herë nervoze./Në cipën e hollë, të shëndritshme, delikate,/Shpirti … në gracka iluzionesh të kapet.//Pasqyrat janë si femrat: gjithnjë gënjeshtare,/Me forma joshëse, konvekse, konkave./Dhe në do të njohësh të gjithë të vërtetën,/Në sytë e tyre shikohu gjithë jetën.//Në çaste intime, të bukura, ireale,/Shfaqen siç janë: të këndshme, reale,/Me gjithë dobësitë dhe vyrtytet njerëzore./Femrat! / Ah femrat,/pasqyrat tekanjoze!…Poetët Xhevahir Spahiu, Mujo Buçpapaj, Ivan Djumoviç, Nevenka Nekiç, Kostas Nusias, etj. u pëlqen më tepër poema  për babanë. Poetja dhe piktorja kroate Danica Vukelic  tha se kishte lexuar qindra poema dhe poezi për nënat, por me këtë poemë për babanë nuk mund të krasahohet asnjë. Ajo thjesht është një vepër madhështore!

–   Në tërësi ju jeni një poet i shëndetshëm, me besimin solid për jetën; megjithatë herë-herë vihen re doza melankolie të ndjeshme, Si bashkëjetojnë optimizmi me pesimizmin te ju?

Bardhyl Maliqi – Interesante, me ty Monda. Nuk besoj se ke lexuar gjithçka që shkruhet për poezinë time në podiumet e prezantimit të librave apo në shkrimet kritike, por kjo ishte qartësisht ajo qe u shpreh gjatë prezantimit te botimit tim në bibliotekën kombëtare të Zagrebit, ku isha i ftuar nga Shoqata e Artisteve “August Senoa”, qe përktheu, botoi librin tim dhe organizoi ketë promovim krijimtarie në bashkëpunim me Unionin e Shqiptareve të Kroacisë. Por kjo më qartsisht duket në fjalët referenciale të profesores kroate Nevenka Nekiç “Grackat e hiçit modern pёrqafojnё globalen duke shmangur heshtat e misterit tё perёndeshave ilire, duke thithur sensualitetin e jetёs, qё vjen nga hingёllimat e hergjeleve dhe diku ju mund tё dёgjoni zёrin e buçimёs sё ujvarave, qё nuk mund ta thyejnё harmoninё e universit qё ravijёzohet nё buzёqeshjen e vajzave. Kёto skena tё shpejta piktoreske e japin plotёsinё e jetёs si nё stilin barok dhe besimin nё kujtesёn e pёrjetёsisё siç thotё poeti. Komponentja atdhedashёse e kёtyre kёngёve si dhe e poemave tё tjera vjen prej elementit dhe ngjarjeve personale nё aspektin e formёs. Kjo ndihmon qё marrёdheniet empatike tё tij tё bёhen edhe tonat, jo vetёm pёr shkak tё mёnyrёs se si i jep, por edhe tё ngjashmёrisё dhe gjykimit historik. Nё kёtё libёr me ndjeshmёri dhe poetikё tё vёrtetё na vjen Bardhyl Maliqi me vargjet e brishta, me jehonёn e kёngёve pёr femijёrinё, me metaforat e gjelbra, dhe fjalёt e rralla tё shpallura si urtёsi. Dhe pa marrё parasysh se sa e pikёlluar ёshtё kjo poezi, ajo mё shumё ka jetё, dashuri dhe bukuri. “ Bashkjetesa e të kundërtave është thelbi i realitetit filozofik dhe jetësor. Shiko p.sh. filma në eksplorer natyre apo planet eksplorer dhe do te bindesh se diversiteti dhe uniteti i të kundërtave është realitet e jo fantazi. Unë përgjithësisht kam vështrim pozitiv mbi jetën, kjo është vaksina ime kundër stresit të realiteteve tona të përditshme sociale e politike, kundër diktaturës së sendeve, mungesa e të cilave na robëron, na bën borxhëli, na kthen në konsumatorë dhe në vartës të droguar nga prehja, parazitizmi, interneti, politika, pseudopatriotizmi etj. 

Ju jeni poet. Qindra vargje poetike lirike, patriotike, qytetare me ton protestues e intelektual të përmbledhura në disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të tyre; Lulet e Shegës, Pasqyrat, vëllimet me poema Ankthi i Statujave, Perandoria e zogjve etj.  Por ju keni vepra të rëndësishme edhe në fusha të pedagogjisë, gjuhësise, komunikimit, etikes, psikologjisë, eseistikës, kritikës letrare etj. Po citoj sërish diasa tituj: Shije të rrezikuara, Qortimi i hartimeve, Morfologjia-tekst per studentët, Shkollat me dyer të hapura, Etika rrjedhave të komunikimit, Detyrat e shtëpisë, etj. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional? A buron kjo prej shkollimit tuaj kompleks?

Bardhyl Maliqi – Saktësisht po! Pas mbarimit të fakultetit për gjuhë dhe letërsi dhe një stazhi pune pas pesë vjetësh m’u dha rasti të ndjek studimet pasuniversitare për pedagogji e psikologji. Pika ime e fortë ishte nota mesatare e fakultetit që më krijoi mundësinë e zgjedhjes. Kisha ëndërr të hulumtoja në brendësinë e procesit krijues, për këtë duhej patjetër psikologjia. Doja të isha mësues i vërtetë, i sukseshëm dhe jo papagall me universitet, për këtë më duhej pedagogjia. Dhe ja arrita. Studimet e dyta pasuniversitare i kam po në këto fusha, flas për masterin shkencor dhe doktoraturën. Kjo më çoi natyrshëm në një fushë tjetër krijimtarie. Unë nuk i shoh të ndara, por të integruara në botën time. Kam dashur të jem kështu. Ajshtajni në letrën që i shkruan të bijës i thotë se sekreti i madh i universit është dashuria!

Çfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?

Bardhyl Maliqi – Ka mjaft mundësi përgjigjesh për këtë pyetje, frymëzimi për të shkruar poezi është botë përjetim dhe këndvështrim personal, se përndryshe do të ishin të gjithë poetë e për më tepër poezitë do të ishin shkruar me kopjativ, por nuk është kështu. Vargjet nuk janë fije makaronash që përgatiten nga amvisat në shtëpi sipas një teknologjie të caktuar të zënise së brumit. Poezia ka përparësi të ndryshme në poetë të ndryshëm, saktësisht çdo poezi është e ndryshme qysh në ngjizje, kjo i jep asaj origjinalitet. Veshja e jashtme e mendimit është çështje kohezioni, detajet e përdorura, figuracioni, lloji i vargut janë në varësi të gjetjes artistike. Kështu p.sh. në poemën time për babanë thelbësore ishte se isha krenar për të, ko më çon te figura e lisit me degë, te madhështia e tij si burrë, ndërsa poema për nënën dominohet nga ndjesia e keqardhjes, e vetëdijes për sakrifikimin që ajo e kishte të ngjizur shpirtërisht, kjo më çoi te figura e farëzave të grurit që treten në barkun e dheut për të çelur bimët e reja. Ajo ishte mësuese, ishte dhe nënë që u sakrifikua tërë jetën për edukimin e të rinjve.  Pas vdekjes së babit nëna mbeti vetëm, pati probleme me vetëdijen, me kujtesën etj. Kërkonte kaçurelat e mija të femijërisë në kokën e një burri që po shkonte drejt të gjashtëdhjetave, kërkonte babanë dhe unë i thosha se ka shkuar tek mbesat në Amerikë dhe ajo e besonte. Kur shkruan një poezi që ty të ngop brenda vetes, ke një ndjesi të veçantë, nuk mund të them të bukur, pasi mund të jetë mallëngjyese dhe trishtuese. Unë për vete kam ndjesinë e fluturimit. Dhe kjo jo vetem kur shkruan për zogjtë si në rastin e poemës Perandoria e zogjve.

Më thatë se keni interes për psikologjinë e krijimit. Keni interes thjesht si krijues apo si studiues? Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

Bardhyl Maliqi – Psikologjia e krijimit më intereson vërtet dhe më intereson në të dyja rrafshet, si krijues dhe si studiues. Laboratorët poetikë nuk funksionojnë njësoj, këtu ka shumë rëndësi  botëpërjetimi, kujtesa emocionale, ndjeshmëria, aftësia përsijatëse, bota e kureshtjes dhe e interesave, ëndërrimi, projektimi i rrugë-zgjidhjeve. Do të mund të merrrja mjaft shembuj konkretë, por do të shkonte gjatë. Në romanin Nata e Ustikës, Petro Marko thotë me gojën e Ricos se vajzat italiane janë si portokajtë nën dritën e hënës, a do të thonte kështu nëse autori nuk do të ishte nga bregdeti i Himarës (Dhërmi)? Pse Mjeda p.sh zgjedh mollët e kuquna në degë dhe qershijat lidhë më një rrëfanë? Kjo lidhet me trevën ndaj më poshtë vazhdon, ku fillojnë kufijtë e geget, rrojnë dy çika me një nanë. Kur kjo ndodh me figurën stilistke, pa mendoni se sa psikologji krijimi ka në botën e brendshme të çdo persaonazhi? Më pyesni për muzën, nëse është ose jo aftësi gjenetike. Studimet mbi inteligjencat e lindura, prirjet, aftësitë, dhuntitë dhe talentet tani kanë një përgjigje më të plotë për këtë. Ato kanë një bazë gjenetike, e cila nëse nuk kultivohet me punë ndodh të atrofizohet, herët ose vonë. Veçse të kemi të qartë një gje muzat nuk i takojnë vetëm letërsisë dhe arteve, as vetëm shkencës, por krijimtarisë në përgjithësi. Edhe bujku që bën një vetullore ulliri në tokë të pjerrët, edhe projektuesi i Kullës së Pizës ishin krijues apo jo?

Ju i kini kushtuar një studim interesant e profesional; “Botës së femrës në Eposin e Kreshnikëve”,  i dedikohet tërësisht brishtësisë dhe dlirësisë femërore, këtij simboli shpirtëror të njerëzimit. Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në këtë studimin tuaj?

Bardhyl Maliqi – Bota e femrës në Eposin E Kreshnikëve ka qenë tema e studimit pasuniversitar në vitet 1983-84, isht një studim në rrafshin e etnopsikologjisë, ku kam pasur dy drejtues shkencore, prof. Bedri Deden në psikologji dhe bashkepunëtorin e vjetër shkencor (flas me terminologjinë e kohës) në folklor, por kam pasur edhe një prijës shpirtëror dhe shkencor njëherësh, studiuesin Veis Sejko nga Konispoli, një jurist me dy fakultete që punonte si cigareshitës për shkak të regjimit diktatorial. Kam lexuar mjaft studime shqiptare dhe të huaja në lidhje me eposin. Por dua të bëj një saktësim. Studimi nuk i dedikohet tërësisht brishtësisë dhe dlirësisë femërore, këtij simboi shpirtëror të njerëzimit, thelbi është se femrat shqiptare apo të huaja jepen me veçori dhe tipologji të karakterit të femrës shqiptare, ato nuk ishin vetëm të bukura e intriguese si Tanusha, as vetëm të besës dhe përkushtiit njerëzor si motra e Gjergj Elez Alisë, as vetëm trimëresha si Fatime Sokolja apo vajza e plakut të moçëm (Omeri i ri) etj. Çelësi i suksesit unë mendoj se ishte nga njera ane me bashkepunimin me njerëz kompetentë e nga ana tjetër fakti e në shkollën e mesme unë kam qenë në një klasë vetëm me vajza dhe i njihja mirë ato, siç të thuash u njihja shpirtin dhe botëkuptimin. Natyrisht ka dhe ndryshime të përvijuara nga greminat e historisë që qëndrojnë mes dy kohëve, por thelbi mbetet i njejtë.

– Cfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot? Cili ka qënë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?

Bardhyl Maliqi – Duhet të jemi realistë kur flasim për kritikën letrare. Nuk mund të kërkojmë qiqra në hell, ne nuk kemi fuqi ekonomike të përgatisim kritikë dhe t’i punësojmë ata për të qenë të tillë. Por krijues me prirje kritike ka pasur gjithmonë. Nga Saranda ka qenë Adriatik Kallulli, andej është Josif Papagjoni e Bashkim Kuçuku si edhe unë. Problemi sot qëndron jo vetëm tek përgatitja speciale, as vetëm te vokacioni i lindur apo pagesa, por edhe te koha fizike. Kur unë punoj si mësues në kohën e punës më kufizohet liria e leximit të plotëruar, pasi pa njohje tërësore s’mund të gjykosh për krijimtarinë e një brezi apo të dhjetra dekadave. Pra  kritika do të jetë e pjesshme dhe e zbehtë. Por ish redaktorë të kohës së diktaturës mendoj se nuk e kanë të drejtën morale dhe aftësimin profesional për të listuar krijuesit në rrafshe vlerësimesh kritike. Habitem si e marrin kurajon këta njerëz, më e pakta që mund të them është se janë hipokritë dhe të paturpshëm. Keqkuptimi im më i ndjeshëm me kritikën? Inekzistent. Kritika shqiptare thjesht më ka anashkaluar ajo ballkanike më ka hiperbolizuar. Por ka edhe mjaft përjashtime. Të huajt p.sh. e vlerësojnë mjaft parathënien e librit Perandoria e zogjve. E pra atë e ka shkruar një shkrimtar shqiptar. Vladimir Muça quhet. Nuk kam pasur njohje personale me të. Ai lexoi disa poema të mijat dhe shkroi esenë POEMA  SI  RREZËLLIME  TË SHPIRTIT  JONIAN.

Bisedoi: Raimonda MOISIUAuthor /Freelancer, Jacksonville, Florida SHBA

Please follow and like us:
fb-share-icon