Qeveria vendos referencë për shfrytëzimin e dhomave të hoteleve. Gjobë për shkelësit!

Qeveria do tu caktojë hoteleve kapacitetin minimal të shfrytëzimit të strukturave akomoduese në periudhën e verës kur është fluksi turistik. Pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se do të vendoset referencë për hotelet pasi nuk bëjnë deklarime të sakta, në projektligjin për turizmin, thuhet se do e caktojë Këshilli i Ministrave nivelin minimal i shfrytëzimit të dhomave.

“Vitin e ardhshëm do keni një referencë dhe shteti do marrë atë që mendon se i takon, nën atë s’ka shans”, u shpreh kryeministri Edi Rama në 3 tetor 2023.

Ky paralajmërim i kryeministrit Edi Rama ndaj hoteleve që nuk deklarojnë numrin real të turistëve, tashmë pret dritën jeshile nga komisionet parlamentare dhe Kuvendi.

Në projektligjin për turizmin, qeveria ka parashikuar që të vendosë referencë për shfrytëzimin e dhomave të hoteleve. Referuar draftit të dërguar në Kuvend, është vendosur që referenca të mos jetë me çmim të dhomës por me nivelin e shfrytëzimit të kapaciteteve.

Në pikën 7 të nenit 64 të këtij projektligji thuhet se do të jetë Këshilli i Ministrave që do të caktojë se sa do të jetë niveli minimal i kapacitetit të shfrytëzimit për një periudhë të caktuar, me qëllim që të rriten të ardhurat tatimore. Pra një hotel që ka 100 dhoma, Këshilli i Ministrave do të i vendosë një limit nën të cilin nuk mund të deklarojnë shfrytëzim.

“Sipërmarrësi turistik ka detyrimin të deklarojë kapacitetin e shfrytëzimit të strukturës akomoduese, i cili, për qëllime tatimore, nuk mund të jetë më i vogël se niveli minimal i shfrytëzimit. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin dhe të ministrit përgjegjës për financat, përcakton periudhën e shfrytëzimit dhe nivelin minimal të kapacitetit të shfrytëzimit për strukturat akomoduese”, thuhet në nenin 64 pika 7 e projektligjit.

Ky ndryshim, vjen për shkak të informalitetit të lartë që ka në sektorin e turizmit, pasi hotelet edhe pse ishin plot, edhe në pikun e sezonit turistik ata deklaronin se po shfrytëzojnë 50-60% të kapaciteteve të tyre.

Kjo fshehje e numrit real të akomodimeve, ka ndikuar negativisht në të ardhurat e buxhetit qendror por edhe tek të ardhurat e pushtetit vendor, pasi për rrjedhojë nuk është deklaruar xhiroja reale e bizneseve e nuk janë paguar taksa.

Po ashtu në projektligj është saktësuar se nëse subjektet nuk deklarojnë saktë numrin e vizitorëve, numrin e netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, gjobiten me 150 mijë lekë. Po ashtu gjobë 100 mijë lekë do të marrin edhe ato struktura që bëjnë deklarim të pasaktë për të dhënat statistikore pasi cenojnë të dhënat mbi turizmin.

Ndryshimet që parashikohen në ligj kanë të bëjnë edhe regjistrimin e njësive akomoduese që deri më tani kanë dhënë apartamente, dhoma, shtëpi me qira në ARBNB të pa-certifikuara, si dhe ashpërsim të gjobave për subjektet që shkelin ligjin.

Të gjitha masat si administrative, sipas relacionit do të rriten të ardhurat në masën 10-15%, në krahasim me vitin 2023.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Please follow and like us:
fb-share-icon