Fondi Shqiptar i Zhvillimit një tjetër projekt për Sarandën, pa u konsultuar me banorët

 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit një tjetër projekt për Sarandën, pa u konsultuar me banorët

 

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak Sarandë, kryetari i bashkisë, Oltion Çaçi, zbuloi se për Eco Campusin dhe pronën e njohur si ish-Vila qeveritare, po kryhet një studim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Megjithatë, Çaçi nuk u tregoi as këshilltarëve detaje specifike për çfarë projekti bëhet fjalë, duke u mjaftuar me një deklaratë të përgjithshme që “është një projekt që ka lidhje me turizmin.” Kjo deklaratë e mjegullt, e cila nuk ofron asnjë lloj qartësie, ngriti menjëherë shqetësime të thella mes banorëve të Sarandës.

 

Është e paqartë përse një projekt që pretendohet se ka rëndësi për turizmin dhe, si rrjedhojë, për 90% të qytetarëve të Sarandës, duhet të mbahet i fshehtë. Pse nuk konsultohen banorët? Çfarë synojnë në të vërtetë këto projekte të errëta, të cilat duket se zhvillohen në prapaskenë dhe pa asnjë lloj transparence?

 

Pavarësisht se askush nga këshilltarët nuk guxoi të pyeste për më shumë, kjo deklaratë e kryetarit të bashkisë Oltion Çaçi ka ngjallur shqetësime mes banorëve të Sarandës, duke pasur parasysh përvojat e mëparshme të zhgënjyeshme me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ky fond është përgjegjës për një sërë projektesh të debatueshme në qytet, duke përfshirë heqjen e shkallëve të gurta dhe zëvendësimin e tyre me parafabrikate betoni, kalldrëmi në rrugën “Flamuri”, rikonstruksionet e rrugëve dhe më e fundit piramida e betonit që e ka kthyer qendrën e Sarandës në një shëmti arkitektonike. Shumë nga këto projekte janë kritikuar për cilësinë e ulët të punimeve dhe për mosrespektimin e karakteristikave historike dhe kulturore të qytetit.

 

Një tjetër pikë shqetësuese për qytetarët është mungesa e transparencës dhe përfshirjes së tyre në këto projekte. Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpesh herë ka ndërmarrë projekte pa konsultim paraprak me banorët e Sarandës. E ashtëquajtura “Dëgjesa publike” që organizohet nga Fondi, shpesh zhvillohet pasi punimet janë tenderuar, duke i lënë qytetarët të papërfshirë dhe të painformuar mbi vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në komunitetin e tyre.

 

Pse Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdon të imponojë projekte pa konsultim paraprak me qytetarët? Pse mbahen të fshehta detajet e këtyre projekteve? Një shqetësim i madh është se këto projekte të errëta mund të kenë motive të fshehta që nuk janë në interesin e komunitetit. Banorët kanë të drejtë të pyesin: A po tentohet të manipulohet e ardhmja e qytetit për përfitime të ngushta dhe personale?

 

Është koha që qytetarët e Sarandës të ngrihen dhe të kërkojnë llogaridhënie nga ata që janë zgjedhur për t’i përfaqësuar. Këto projekte që vendosin në rrezik identitetin dhe cilësinë e jetesës në Sarandë nuk mund të kalojnë pa u konsultuar me banorët, të cilët janë ata që do të vuajnë pasojat e vendimeve të marra në errësirë.

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon