Gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2024, periudhë kur Saranda arrin kulmin e sezonit turistik, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë përballuar një fluks të jashtëzakonshëm trafiku. Sipas të dhënave të siguruara nga policia lokale, gjatë këtyre dy muajve, janë ndërmarrë një sërë masash për të siguruar sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar aksidentet, veçanërisht në një qytet ku qarkullojnë rreth 60 mijë mjete në ditë.
– Janë proceduar 51 drejtues mjetesh për drejtim nën ndikimin e alkoolit dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit, përfshirë drejtimin e mjetit pa Leje Drejtimi. Këto raste janë referuar menjëherë Prokurorisë për ndjekje penale.
– Janë marrë gjithashtu 10,435 masa administrative, duke përfshirë gjoba dhe penalizime të tjera për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij sezoni është fakti se nuk ka pasur asnjë aksident me pasoja fatale. Ky është një sukses i rëndësishëm për Policinë e Sarandës, duke marrë parasysh sfidat e mëdha me të cilat është përballur stafi gjatë kësaj periudhe të ngarkuar.
Policia ka operuar me një numër të kufizuar punonjësish. Shtesat e personelit për sezonin turistik kanë qenë minimale, madje më të ulëta se në sezonet e kaluara, duke bërë që menaxhimi efektiv i trafikut të jetë një sfidë e madhe.
Në një qytet që mbledh dhjetëra mijëra turistë çdo ditë gjatë verës, nevoja për rritjen e kapacitetit të burimeve njerëzore është më e rëndësishme se kurrë.