Një banor i lagjes Gjashtë në Sarandë ka ngritur alarmin mbi gjendjen e rënduar të mbeturinave në zonë, përmes një denoncimi drejtuar SarandaWeb. Banori shprehet i zhgënjyer për mungesën e veprimit nga autoritetet vendore, të cilat, sipas tij, duket se shfaqen vetëm gjatë periudhave elektorale për të dhënë premtime boshe.
“Gjatë gjithë muajit gusht, pirgu i mbeturinave pranë xhamisë në Gjashtë është rritur çdo ditë. Këtu paguhen të gjitha taksat e bashkisë, por shërbimi është larg standardit të pritshëm,” thotë banori, duke shprehur zhgënjimin e tij për shërbimin e dobët të pastrimit.
Ai nënvizon se banorët e zonës po punojnë privatisht për të promovuar dhe shtuar numrin e turistëve në Gjashtë, por ndotja dhe mungesa e përkushtimit nga bashkia pengojnë përpjekjet e tyre.
Fotot e siguruara nga banori tregojnë qartë pirgun e mbeturinave pranë xhamisë, duke ngritur pyetje mbi aftësinë e autoriteteve për të menaxhuar shërbimet bazike të komunitetit.
Banorët e Gjashtës kërkojnë një përgjigje të menjëhershme nga Bashkia e Sarandës për këtë çështje dhe një përmirësim të situatës, në mënyrë që jeta e përditshme dhe zhvillimi i turizmit të mos dëmtohen më tej.