Zgjidhen Dy Nënkryetarët e PD Sarandë: Anila Lejmoni dhe Shpëtim Ahmeti
Sot, Partia Demokratike (PD) e Sarandës zhvilloi një mbledhje të rëndësishme për zgjedhjen e nënkryetarëve të degës.
Me pjesëmarrjen e 21 anëtarëve të kryesisë dhe nën prezencën e deputetes Ina Zhupa, u votuan kandidaturat Anila Lejmoni, Andrea Baxheri, Klaudja Bajrami dhe Shpëtim Ahmeti.
Pas një gare të ngushtë, dy kandidaturat që morën mbështetjen më të madhe ishin Anila Lejmoni me 14 vota dhe Shpëtim Ahmeti me 11 vota. Kandidatët e tjerë, Klaudja Bajrami dhe Andrea Baxheri, morën përkatësisht 7 dhe 6 vota.
Ky proces vjen pas zgjedhjes dhe konstituimit të kryesisë së PD Sarandë në korrik 2024, pas ndarjes së degës në tre njësi: Sarandë, Konispol dhe Finiq. Me këtë ristrukturim, PD Sarandë duket se po forcon pozitat për të qenë e gatshme për zgjedhjet e vitit 2025.