Dëshmia e bashkëjetueses së autorit të krimit: Kishte ndezur muzikë dhe kërcente nudo
Ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Gjashtë, Sarandë, po zbulohet gjithnjë e më shumë me detaje tronditëse. Bashkëjetuesja e Admir Beqirit, autori i dyshuar për vrasjen e Gëzim Bizgjonit, ka rrëfyer momentet e fundit para tragjedisë, duke shpjeguar dinamikën e dhunës dhe konfliktit që çoi në vdekjen e Bizgjonit.
Në dëshminë e saj, ajo tregon se Admiri kishte kaluar ditën duke konsumuar alkool pa pushim. “Admiri nisi të hajë e të pijë. Mbaroi tre shishe raki. Erdhi ora 6 e darkës, duke pirë gjithë ditën. Erdhi Gëzimi nga puna dhe na tha: ‘Çfarë bëni kështu?’ Një komshi i tha Admirit se Gëzimi ka 20 ditë që ka futur vajzën në tokë,” tregon ajo. Kjo fjalë mesa duket ka shkaktuar një shpërthim të zemërimit tek Beqiri, i cili nisi të përdorte gjuhë të ndyrë dhe të kërcënonte.
Ajo theksoi se kishte qenë bashkëjetuese e tij për më shumë se tre vjet, por situata mes tyre kishte degraduar me kalimin e kohës. “Admiri, sa ngela pa punë, më thoshte lypëse e mashtruese, do ngelësh rrugëve,” rrëfen ajo. Sipas saj, Bizgjoni, viktima e vrasjes, ishte një burrë që jetonte vetëm dhe nuk kishte konflikte me të tjerët, duke qenë bujar e i sjellshëm. Pasi Gëzimi kërkoi që të ulte muzikën, pasi vetëm 20 ditë më parë i kishte vdekur vajza, situata u tensionua edhe më shumë.
“Admiri më tërhoqi për flokësh, donte të më vriste,” thotë ajo, duke përshkruar momentet e tmerrit para se vëllai i saj të vinte për ta marrë nga banesa. Sipas saj, konflikti kulmoi kur Gëzimi e sfidoi Beqirin, duke i thënë që të dilnin jashtë për t’u përballur. “Gëzimi donte ta vriste sepse më mbronte mua dhe nuk e lejonte të ngrinte muzikën,” shton ajo. Më pas, ajo u largua nga shtëpia përpara se të ndodhte tragjedia dhe nuk ka parë më se çfarë ka ndodhur.
Bashkëjetuesja e Beqirit përshkruan autorin si dhunues gjatë muajve të fundit, duke thënë se shpesh ishte i dhunshëm ndaj saj dhe se kishte frikë ta denonconte. “Admiri bënte festë me muzikë, i zhveshur nudo, edhe pse Gëzim Bizgjonit vetëm 20 ditë më parë i kishte vdekur vajza,” përfundon ajo, duke përshkruar një sjellje të papërgjegjshme dhe të pakontrolluar të autorit të krimit.
Hetimet për ngjarjen tragjike po vazhdojnë, ndërsa dëshmia e saj pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë vrasje brutale.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb