Rruga Flamuri në Sarandë drejt degradimit nga mungesa e menaxhimit të ujërave të shiut
Një nga problemet e shumta që po përballen qytetarët e Sarandës pas punimeve të vazhdueshme në rrugët e qendrës është mungesa e sistemimit të ujërave të shiut. Qendra e qytetit, ku mblidhen sasi të mëdha të këtyre ujërave, po përballet me përmbytje, veçanërisht Rruga Flamuri, një arterie kryesore e lëvizjes në qytet.
Në çdo reshje të fortë shiu, uji i pamenaxhuar nga qendra vërshon drejt Rrugës Flamuri, duke përkeqësuar më tej gjendjen e saj. Shumë segmente të kësaj rruge janë dëmtuar ndjeshëm, duke krijuar gropa të mëdha, çarje dhe deformime në sipërfaqen e rrugës. Këto dëmtime jo vetëm që vështirësojnë qarkullimin e automjeteve, por rrezikojnë edhe jetën e këmbësorëve dhe drejtuesve të mjeteve.
Për më tepër, nëse kjo situatë nuk adresohet shpejt, rruga mund të dalë krejtësisht jashtë funksionit.
Në këtë drejtim, është urgjente që autoritetet lokale të ndërmarrin masa të menjëhershme për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të ujërave të shiut, përpara marrjes në dorizim të punimeve. Duhet të kryhen ndërhyrje efektive për të sistemuar kanalizimet dhe për të parandaluar përmbytjet që po përkeqësojnë infrastrukturën rrugore të Sarandës. Zgjidhja e këtij problemi do të jetë kyçe për të shmangur dëme të mëtejshme në Rrugën Flamuri dhe për të garantuar funksionimin e saj normal.
Banorët e Sarandës shprehin shqetësim për mungesën e vëmendjes ndaj këtyre problematikave dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme përpara se rruga të bëhet e pakalueshme. Me sezonin e reshjeve në prag, është e nevojshme një reagim i shpejtë nga institucionet përkatëse.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb