Zbulohen piktura murale në Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam
Një zbulim i rëndësishëm është bërë në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, ku janë evidentuar piktura murale të mbuluara për vite me radhë nga shtresa llaçi dhe lyerje me gëlqere. Ky zbulim i pasuron më tej vlerat historike dhe kulturore të këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë bizantine.
Ndërhyrjet aktuale në këtë kishë i përkasin fazës së parë të një projekti ambicioz, i cili do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2025. Projekti titullohet “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”. Ai është pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi, bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine.
Punimet konservuese dhe restauruese nisën më 27 gusht 2024, duke u përqendruar fillimisht në pikturat murale të kishës. Specialistët janë angazhuar në heqjen me kujdes të llaçit dhe gëlqeres që mbulonin këto vepra arti, për të ruajtur dhe rikthyer shkëlqimin e tyre origjinal.
Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam përbën një trashëgimi të veçantë kulturore dhe arkitekturore për zonën e Sarandës dhe më gjerë. Me zbatimin e këtij projekti, synohet jo vetëm të mbrohet ky monument, por edhe të nxisë studime të mëtejshme për artin bizantin dhe postbizantin, duke e kthyer atë në një pikë referimi për kërkuesit dhe vizitorët.
Ky proces jo vetëm që rikthen vlerat estetike dhe historike të pikturave të zbuluara, por gjithashtu dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke promovuar një qasje të kujdesshme dhe të qëndrueshme ndaj monumenteve të vjetra.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb