Vodhi 600 mijë dhe ia mbathi në Durrës, Jorgua përfundon përsëri në burg
Policia e Sarandës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës kanë arrestuar 48-vjeçarin Jorgo Kumaraku, i shpallur në kërkim për një grabitje të dhunshme të ndodhur më 2 maj në qytetin e Sarandës.
Ngjarja ka ndodhur në një dyqan në lagjen nr. 2 të qytetit, ku Kumaraku, nën kërcënimin e një thike, ka arritur të marrë me dhunë një shumë prej 60.000 lekësh të reja. Gjatë aktit të grabitjes, autori ka ushtruar dhunë ndaj shitëses 26-vjeçare, e cila ka pësuar dëmtime fizike, ndërsa dyshohet se ka tentuar të kryejë edhe marrëdhënie seksuale me forcë ndaj saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kishin shpallur në kërkim Kumarakun, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare për shkak të precedentëve të shumtë penalë në fushën e vjedhjes me dhunë dhe grabitjes.
Kapja e tij u bë e mundur në qytetin e Durrësit, falë shkëmbimit të shpejtë të informacioneve mes strukturave të rendit. Policia e Sarandës konfirmoi se pas identifikimit dhe lokalizimit, u realizua ndalimi pa incidente i 48-vjeçarit, i cili tashmë ndodhet në pranga dhe do të përballet me drejtësinë për veprat penale që rëndojnë mbi të.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb