Bashkia kërkon votën e këshilltarëve për miratimin e tjetërsimit të Eco Kampusit

Tjetërsohet Eco Kampusi? Bashkia Sarandë kërkon votën e Këshillit për një projekt të dyshimtë pas fasadës “Eco-Smart”

Tjetërsohet Eco Kampusi? Bashkia Sarandë kërkon votën e Këshillit për një projekt të dyshimtë pas fasadës “Eco-Smart”

 

Bashkia Sarandë ka dorëzuar për miratim në Këshillin Bashkiak një projekt-vendim që në dukje përpiqet të mbulohet me terma joshës si “zhvillim i qëndrueshëm”, “kampus eco-smart”, apo “qendër kulturore e integruar”, por që në thelb përmban një tjetër vendim që rrezikon të tjetërsojë një nga hapësirat më të rëndësishme publike të qytetit.

 

 

 

Bëhet fjalë për pronën publike ku ndodhej dikur “Rezidenca Qeveritare” në Sarandë, një sipërfaqe prej mbi 9,200 m², e cila tanimë kërkohet t’i kalojë me bashkëinvestim Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për një projekt të ri me emërtimin e bujshëm “Poli i Zhvillimit Turistik në Sarandë”. Në këtë projekt janë përfshirë ndërtimi i një pishine publike, një restorant, një strukturë akomoduese për “artistë, nomadë digjitalë e turistë”, por që, sipas përshkrimit, tingëllon më tepër si një kompleks hotelier i kamufluar sesa një shërbim publik.

 

A është ky një investim për qytetarët apo një tjetër shembull i zhdukjes së pronave publike?

 

Në materialin shoqërues që shkon përpara Këshillit Bashkiak, përdoren fraza entuziaste që e paraqesin projektin si zgjidhje për papunësinë, si një lidhje të re mes arsimit dhe turizmit, apo si një model të zhvillimit të qëndrueshëm. Por nuk jepet asnjë analizë konkrete mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj prone pas kalimit të saj në kuadër të këtij “bashkëinvestimi”. Askund nuk sqarohet nëse kjo pronë do të mbetet publike, nëse hyrja në hapësirat e reja do të jetë falas apo me pagesë, nëse të ardhurat do të përfitohen nga Bashkia apo nga palë të treta.

 

Në fakt, e vetmja gjë që sqarohet me saktësi në vendimin e propozuar është autorizimi i Kryetarit të Bashkisë Oltion Çaçi për të firmosur marrëveshjen dhe çdo akt tjetër që rrjedh prej saj. Ndërsa për fatin e pronës publike, transparenca mungon krejtësisht.

 

Qytetarët ngrejnë shqetësimin: “Tjetërsohet një pronë publike pas emrave të bukur”

 

Një qytetar, në një mesazh të dërguar pranë Saranda Web, shpreh hapur shqetësimin e tij:

“Përse do të tjetërsohet kjo zonë, që është një ndër të vetmet prona publike në qytet? Përse nuk shfrytëzohet për ndërtimin e një shkolle, kopështi, një institucioni edukimi, një qendre komunitare? Saranda ka nevojë për hapësira publike që i shërbejnë fëmijëve, të rinjve dhe komunitetit, jo për komplekse luksoze me emra të stisur.”

 

Në të vërtetë, Saranda vuan nga mungesa e hapësirave publike të aksesueshme për komunitetin. Ndërsa çdo sezon turistik sheh gjithnjë e më shumë rritje ndërtimesh private, për qytetarët mbeten gjithnjë e më pak parqe, qendra rinore, apo ambiente për aktivitete komunitare.

 

Këshilli Bashkiak përballë një përgjegjësie të madhe

 

Në ditët në vijim, Këshilli Bashkiak pritet të votojë këtë projekt-vendim. Këshilltarët duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk po votojnë thjesht për një projekt me premtime joshëse në letër, por për fatin e një prone publike që mund të humbasë përfundimisht karakterin e saj shoqëror dhe të përfundojë në duart e interesave të ngushta private.

 

Në këtë moment vendimtar, kërkohet transparencë maksimale, konsultim me komunitetin dhe përgjegjësi politike. Nëse vendimi kalon pa një debat publik të hapur, pa një analizë të thelluar të kontratës, pa garanci për ruajtjen e pronës publike — atëherë do të kemi të bëjmë me një tjetër rast të tjetërsimit të pronës publike nën petkun e zhvillimit turistik.

 

Saranda ka nevojë për zhvillim, por një zhvillim që respekton interesin publik dhe mbron hapësirat e përbashkëta, jo një model që favorizon grupe të vogla në kurriz të komunitetit të gjerë.

 

Dokumenti i plotë

Projekt vendim per miratimin e marreveshjes se bashkeinvestimit

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon