Policia e Shtetit thellon bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar
Policia e Shtetit po rrit ndjeshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në kuadër të përpjekjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe atë ndërkufitar. Këtë e konfirmoi edhe pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në Konferencën e 52-të Rajonale të INTERPOL-it, e zhvilluar në Athinë.
Gjatë kësaj konference, Ilir Proda zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare dhe homologë të tij, duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat ndërkombëtare në fushën e sigurisë.
Një nga takimet më të rëndësishme ishte ai me Presidentin e INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi. Në këtë takim miqësor, Proda e falënderoi Presidentin për mbështetjen që INTERPOL ka dhënë në kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, veçanërisht atyre që fshiheshin në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ju siguroj për vendosmërinë time, të Policisë së Shtetit dhe të shtetit shqiptar për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër fenomeneve kriminale globale. Ju ftoj ju dhe agjencitë ndërkombëtare që të vijoni mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, e cila sot vepron në mënyrë profesionale dhe të barabartë me partnerët në operacione dhe hetime”, u shpreh Proda.
Nga ana e tij, Presidenti i INTERPOL-it vlerësoi përkushtimin e Policisë së Shtetit shqiptare:
“Vlerësoj punën dhe seriozitetin që tregoni në luftën kundër krimit të organizuar. Vendosmëria juaj për të bashkëpunuar me partnerët pa barriera ka krijuar një klimë gjithnjë e më të besueshme. INTERPOL do të vijojë ta mbështesë Policinë e Shtetit në përpjekjet kundër kërcënimeve globale.”
Gjatë punimeve të konferencës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi gjithashtu takime me Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, z. Valdecy Urquiza, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Greke, Gjeneral Lejtnant Dimitrios Mallios, Menaxherin e Projektit EU4FAST WB, z. Antonio Montanaro, si dhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë në fushën e sigurisë publike.
Në këto takime, u theksuan disa nga prioritetet e bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë së Shtetit, ndër të cilat:
-
Lufta kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar;
-
Goditja e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me fokus të veçantë në rrugët nga Amerika Latine;
-
Parandalimi dhe luftimi i krimit kibernetik;
-
Kapja dhe ekstradimi i personave në kërkim ndërkombëtar;
-
Forcimi i bashkëpunimit në formimin profesional dhe shkëmbimin e ekspertizës;
-
Rritja e kapaciteteve logjistike dhe profesionale të Policisë së Shtetit.
Drejtori Ilir Proda përsëriti se kriminaliteti global kërkon përgjigje globale, dhe Policia e Shtetit është plotësisht e angazhuar për të qenë pjesë aktive e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale me partnerët ndërkombëtarë.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb