Orë tmerri në Livinë – flakët rrezikojnë banesat, banorët evakuohen mes panikut
Paraditen e sotme, banorët e fshatit Livinë në Bashkinë e Finiqit përjetuan momente tmerri, pasi një zjarr i madh përfshiu zonën e banuar, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin.
Gjithë fshati u mbulua nga një re e dendur tymi të zi, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, veçanërisht tek të moshuarit. Rreth orës 10:00, policia dhe zjarrfikësja vendosën të largonin banorët nga shtëpitë e tyre. Gratë dhe të moshuarit u strehuan në qendrën e fshatit, ndërsa burrat mbetën në terren, duke u përpjekur të shpëtonin pronat dhe bahçet.
Ndërhyrje tokësore dhe ajrore për shuarjen e flakëve
Saranda Web ndoqi nga afër operacionin e shuarjes së zjarrit dhe evakuimin e banorëve. Një e moshuar u transportua me urgjencë drejt qendrës shëndetësore për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Në operacion u angazhuan dhjetëra forca zjarrfikëse dhe policore, si dhe ndërhyrja nga ajri me helikopterin Black Hawk dhe avionin kroat Canadair, i dërguar përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Situata nën kontroll, por dëmet janë të mëdha
Rreth orës 13:00, rreziku për banesat kaloi, por u dogjën sipërfaqe të mëdha me ullishte dhe drurë frutorë.
“Sipas parashikimeve, zjarri mund të kalojë mbi malin e Livinës dhe të drejtohet drejt fshatit Dhrovjan. Angazhimi për ta vënë nën kontroll është maksimal. Po bëjmë të pamundurën për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe banesat. Nuk kemi ende një bilanc të saktë të dëmeve për shkak të situatës së vështirë,” u shpreh nënprefekti i Sarandës, Kristaq Kiço. Ai shtoi se gjatë mëngjesit në Navaricë situata ishte e rëndë, por flakët nuk prekën banesat.
Një vatër e zjarrtë që ka pesë ditë që shkrumbon Finiqin
Vatra e zjarrit nisi pasditen e së martës në malin mbi fshatin Dhivër dhe është përhapur gjatë pesë ditëve në disa fshatra të Bashkisë Finiq: Dhivër, Leshnicë, Dhrovjan, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore dhe bujqësore
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb