Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Kristo Kauri
Me hidhërim të madh, mësohet për ndarjen nga jeta të Kristo Kauri, një personalitet i njohur dhe i dashur për komunitetin e Sarandës dhe më gjerë.
Kristo Kauri ishte një adhurues i natyrës që u rrit i përkëdhelur nga bukuria e luginës së Bistricës. Dashuria e tij për pyjet dhe bimësinë u bë më vonë edhe rruga e jetës së tij. Endrra e tij u realizua në Fakultetin e Inxhinierisë së Pyjeve në Kamëz, ku u diplomua në vitin 1976 me rezultate të larta, dëshmi e pasionit dhe përkushtimit të tij. Që nga ai çast, jeta e tij u lidh përfundimisht me mbretërinë e gjelbër të pyjeve.
Rrugëtimi profesional i Kaurit nisi në Tropojë, aty ku e emëruan pas studimeve. Si një koincidencë e bukur, luginën e tij të dashur të Bistricës me Syrin e Kaltër, ai e gjeti në “simotër” te lugina e famshme e Valbonës. Në këtë vend magjik hyri në mbretërinë e gjelbër të drurëve tropojanë dhe atje gjeti edhe shpirtin e jetës së tij, Melin, vajzën e bukur tropojane, të cilën e përmendte gjithmonë me ëmbëlsi.
Me modesti, ai shprehej: “Kur fillova punë si inxhinier pyjesh në Tropojë, dija shumë pak për botën magjike të drurëve. Aty mësova jo vetëm zanatin, por edhe gjuhë të huaja, italishten dhe frëngjishten. Kuptova se drurët nuk janë thjesht drurë, por qenie të gjalla si njerëzit, me kujtesë, dhimbje, ndjesi dhe dashuri.”
Në Tropojë, ai punoi si specialist, përgjegjës sektori, kryetar i degës teknike në ndërmarrjen pyjore, duke u shquar si një inxhinier novator që zbatonte teknologjitë bashkëkohore dhe mbetej gjithmonë i dashuruar pas pyjeve.
Kontributi i Kristo Kauri në Sarandë dhe gjithë zonën
Më pas, Kristo Kauri u kthye në Sarandë, ku kreu shumë detyra me përgjegjësi: kryetar kooperative, inxhinier në ndërmarrjen e kullotave, si dhe drejtor i ndërmarrjes pyjore të Sarandës. Kudo që punoi, la gjurmën e tij të pashlyeshme.
Dora dhe mendja e tij u panë në çdo cep të qytetit dhe zonës, në gjelbërimin e parqeve, në rehabilitimin e pyjeve dhe në përmirësimin e ekosistemeve. Saranda i është mirënjohëse veçanërisht për kujdesin e tij ndaj palmave të qytetit, të cilat i shpëtoi nga një sëmundje e rëndë, si dhe për projektet e shumta që realizoi për mjedisin dhe biodiversitetin.
Ai hartoi projekte dhe studime për përmirësimin e gështenjës, pishës, hormogit, ahut, dushqeve dhe kullotave, duke qenë gjithashtu autor i një numri të madh artikujsh shkencorë të botuar në shtypin e ditës dhe në revista periodike. Kontributi i tij ishte i vyer edhe në Parkun Kombëtar të Butrintit, te Syri i Kaltër, në Dhrovjan, Borsh dhe në shumë monumente të natyrës, ku punoi për të rritur vlerat floristike, faunistike dhe turistike.
Pasioni i përjetshëm për pyjet
Vetë Kristo Kauri, me thjeshtësinë dhe pasionin që e karakterizonte, shprehej:
“Kam mbi dyzet vjet që merrem me drurët dhe pyllin, me gjelbërimin dhe ekosistemet pyjore. Kam mësuar shumë, por nuk do të ndalem kurrë së mësuari nga kjo mbretëri. Edhe kur të më lënë këmbët, do të shkoj zvarrë, do të eci me zemër dhe me shpirt.”
Kristo Kauri mbetet shembull i një njeriu të thjeshtë, të përkushtuar dhe vizionar. Ai i dha shumë Sarandës, Tropojës dhe gjithë vendit, duke u bërë një figurë e respektuar në fushën e inxhinierisë së pyjeve.
Largimi i tij lë një boshllëk të madh tek familja, miqtë dhe komuniteti, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në çdo pemë, park dhe gjelbërim që mban vulën e punës së tij të palodhur.
Ngushëllime të sinqerta familjes Kauri për këtë humbje të madhe.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb