Pas publikimit në Saranda Web, sistemi rifillon punën dhe fëmija me diabet merr shërbimin
Pas publikimit të denoncimit në Saranda Web, problemi i një nëne që kishte raportuar mungesën e shërbimit shëndetësor për fëmijën e saj me diabet është zgjidhur.

Ditën e djeshme, Saranda Web publikoi denoncimin e një nëne nga zona e Delvinës, e cila raportonte se fëmija i saj, prej 10 ditësh, nuk po merrte shërbimin e nevojshëm shëndetësor, për shkak të një problemi në sistemin elektronik, i cili nuk njihte diagnozën e diabetit për grupmoshën 0–25 vjeç.
Si pasojë e këtij defekti, nëna ishte e detyruar të siguronte insulinën dhe fishat e diabetit në farmaci private, duke përballuar kosto të larta financiare dhe rrezik për shëndetin e fëmijës.
Sot, problemi është zgjidhur, sistemi ka rifilluar funksionimin normal dhe fëmija ka marrë shërbimin shëndetësor dhe recetat e rimbursimit që i takonin.
Ky rast dëshmon edhe një herë rëndësinë e denoncimeve publike dhe rolit të medias, në adresimin e problemeve që prekin drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Saranda Web do të vijojë të ndjekë dhe publikojë raste të ngjashme, duke qëndruar në mbrojtje të interesit publik dhe të drejtës për shërbim shëndetësor dinjitoz.









