“Do na iki Trump-i” – Deputetja argumenton pse portet duhet të bëhen pronë e investitorëve strategjikë

“Do na iki Trump-i” – Deputetja argumenton pse portet duhet të bëhen pronë e investitorëve strategjikë Një nismë e re ligjore e depozituar në Kuvend nga mazhoranca ka hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si do të zhvillohen portet turistike në Shqipëri.

“Do na iki Trump-i” – Deputetja argumenton pse portet duhet të bëhen pronë e investitorëve strategjikë

Një nismë e re ligjore e depozituar në Kuvend nga mazhoranca ka hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si do të zhvillohen portet turistike në Shqipëri.

 

“Do na iki Trump-i” – Deputetja argumenton pse portet duhet të bëhen pronë e investitorëve strategjikë
Një nismë e re ligjore e depozituar në Kuvend nga mazhoranca ka hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si do të zhvillohen portet turistike në Shqipëri.

 

Propozimi synon t’u japë investitorëve strategjikë mundësinë për të ndërtuar dhe shfrytëzuar porte turistike pa iu nënshtruar procedurave të konkurrimit apo koncesionit, siç parashikon aktualisht ligji. Nisma mban firmën e deputetes së Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, e cila propozon ndërhyrje në legjislacionin ekzistues për të krijuar një mekanizëm paralel për realizimin e porteve turistike, kur ato janë pjesë e një projekti të miratuar si investim strategjik.

 

Në thelb, ndryshimi synon të përmbysë modelin aktual. Sipas kuadrit ligjor në fuqi, ndërtimi dhe operimi i porteve turistike realizohet përmes procedurës së koncesionit: investitori ndërton me kapital privat, por pas një periudhe të caktuar, infrastruktura i rikthehet shtetit. Me formulën e re, subjektet që kanë marrë statusin “Investitor Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike, nëse porti është pjesë e investimit të tyre, përjashtohen nga detyrimi për procedurë gare.

 

Në praktikë, kjo do të thotë se një ndërtues resorti turistik mund të marrë automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe operuar edhe portin përkatës. Ndryshe nga modeli i koncesionit, ku prona rikthehet në shtet, porti turistik në këtë rast do të mbetet në mënyrë të përhershme në pronësi të privatit.

 

Duke argumentuar nevojën për këtë ndërhyrje, Sinaj solli si shembull investimin e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, në ishullin e Sazanit. Sipas saj, procedurat aktuale burokratike janë të gjata dhe rrezikojnë të dekurajojnë investitorët strategjikë.

 

“Investimi në ishullin e Sazanit, investitorët rrezikojnë të tërhiqen nëse ligji nuk kalon,” u shpreh deputetja, duke shtuar se Shqipëria duhet të reagojë shpejt për të mos humbur investime të mëdha ndërkombëtare.

 

Por kjo nismë është përballur me kundërshtim të fortë nga opozita, e cila ngre dyshime për transparencën dhe qëllimin e saj. Sipas deputetëve opozitarë, ekziston rreziku që ligji të jetë i orientuar drejt interesave të paracaktuara private.

“Nuk e kuptoj pse do e kaloni me shpejtësi, por kam përshtypjen se janë gati emrat që do të marrin portet e Shqipërisë,” u shprehën ata gjatë debatit në Kuvend.

 

Nga ana tjetër, Sinaj mbrojti propozimin si një zgjidhje praktike për të shmangur zvarritjet administrative.

“Propozimi është i thjeshtë: kur kemi një investim strategjik dhe porti është pjesë e këtij investimi, këtë procedurë ta bëjë vetë investitori pa kaluar në procedura të reja,” deklaroi ajo.

 

Debati shkon përtej një ndryshimi teknik ligjor dhe prek thelbin e politikave ekonomike. Investitorët strategjikë gëzojnë tashmë një sërë lehtësish, përfshirë përjashtime nga disa taksa, procedura të përshpejtuara dhe mbështetje shtetërore me infrastrukturë ndihmëse si rrugë, energji dhe kanalizime. Në disa raste, atyre u është dhënë edhe shfrytëzimi i pronave shtetërore me vlerë simbolike për periudha të gjata.

 

Një rast i njohur në Sarandë është Porti i Limionit, i cili fillimisht u dha me qira për 20 vite për vetëm 2,000 dollarë në vit dhe më pas përmes një Partneriteti Publik-Privat për 35 vite. Modeli i ri i propozuar në Kuvend shkon edhe më tej, duke krijuar mundësinë që portet turistike të mos kenë më afat rikthimi në pronësi shtetërore, por të mbeten përgjithmonë në administrim privat.

 

Opozita ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi kohën e këtij ndryshimi, duke qenë se ligji për investimet strategjike pritet të përfundojë në dhjetor 2026. Por Sinaj paralajmëroi se mazhoranca po përgatit një tjetër shtyrje të afatit.

“Jemi duke përgatitur një draft për të shtyrë ligjin e investimeve strategjike për herë të shtatë,” u shpreh ajo.

 

Socialistët, ndërkohë, i hodhën poshtë akuzat për një ligj “me porosi”, duke argumentuar se qëllimi kryesor është krijimi i sigurisë juridike për investitorët strategjikë dhe harmonizimi i procedurave mes ligjit për portet turistike dhe atij për investimet strategjike.

 

Mes interesave ekonomike, debatit politik dhe shqetësimeve për transparencën, kjo nismë pritet të mbetet në qendër të vëmendjes publike, ndërsa Shqipëria përballet me dilemat mes tërheqjes së investimeve të huaja dhe ruajtjes së kontrollit mbi asetet strategjike.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon