Nis funksionimin Terminali në Sarandë, por autobusët vijojnë të futen në qytet për parkim. Nga dita e sotme ka nisur funksionimin Terminali i Autobusëve në Sarandë, një investim që synon të organizojë transportin ndërqytetas dhe të lehtësojë qarkullimin në qytet.
Megjithatë, një vëzhgim i realizuar me dron nga Saranda Web tregon se, të paktën në ditën e parë të funksionimit, një prej problematikave kryesore të trafikut mbetet ende e pazgjidhur.
Pamjet tregojnë se autobusët, pasi zbresin pasagjerët në terminal, futen sërish në qytet për të parkuar. Sipas informacionit të siguruar nga Saranda Web, kjo ndodh pasi parkimi i terminalit nuk ka lartësinë e nevojshme për të akomoduar autobusët.
Si pasojë, mjetet e transportit ndërqytetas vijojnë të qarkullojnë dhe të qëndrojnë brenda qytetit, duke mos e eliminuar plotësisht ngarkesën në trafik, që ishte edhe një nga objektivat kryesorë të ndërtimit të terminalit.








