Thursday, August 20, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Disa qytetarë në Sarandë guxojnë të protestojnë për mungesën e ujit –...

Disa qytetarë në Sarandë guxojnë të protestojnë për mungesën e ujit – VIDEO

Disa qytetarë në Sarandë guxojnë të protestojnë për mungesën e ujit.  “Pas 30 vitesh, i gjeta fqinjët ende me bidona”. Problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë kanë nxjerrë sot në protestë përpara Bashkisë Sarandë disa qytetarë.

 

Edhe pse pjesëmarrja ishte e vogël, vetëm 5-6 qytetarë, protesta mori një domethënie të veçantë në një qytet ku reagimi qytetar ndaj problematikave publike ka qenë prej vitesh i vakët. Kësaj situate i shtohet edhe mungesa e një opozite aktive, e cila shpesh akuzohet për heshtje dhe bashkëpunim të fshehtë me pushtetin vendor.

 

 

Një prej organizatoreve të protestës, e kthyer së fundmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregoi se pas më shumë se dy dekadash larg Sarandës, realiteti që gjeti ishte thuajse i pandryshuar.

“Jam kthyer pas 30 vitesh dhe i gjeta fqinjët e mi ashtu siç i kisha lënë, duke mbushur ujë me bidona”, u shpreh ajo, duke kërkuar zgjidhje për furnizimin me ujë të qytetit.

 

Gjatë protestës u ngrit edhe një tjetër çështje që ka shkaktuar reagime ditët e fundit: projekti për ndërtimin e një parkingu në territorin që përfshin terrenet sportive të gjimnazit “Hasan Tahsini”.

 

Një prej protestueseve solli si shembull reagimin qytetar për mbrojtjen e plazhit të Centralit, duke theksuar se kur qytetarët bashkohen dhe reagojnë, institucionet detyrohen t’i dëgjojnë.

Sipas saj, rasti i Centralit tregoi se reagimi qytetar mund të pengojë vendimmarrje apo veprime që konsiderohen në dëm të interesit publik dhe të qytetit.

 

Pavarësisht numrit të vogël të pjesëmarrësve, protesta e sotme përcolli një mesazh më të madh se vetë shifrat: në Sarandë ka ende qytetarë që zgjedhin të reagojnë publikisht për problemet e qytetit. Saranda Web

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial