Wednesday, September 9, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Të arrestuarit marrin peng policin në Sarandë, AMP nis hetimet – pezullohen...

Të arrestuarit marrin peng policin në Sarandë, AMP nis hetimet – pezullohen 3 punonjës

Të arrestuarit marrin peng policin në Sarandë, AMP nis hetimet – pezullohen 3 punonjës.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë ka sjellë masat e para ndaj punonjësve të policisë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit. Me situatën është njohur edhe drejtuesi i Policisë, Skënder Hitaj, ndërsa është marrë vendimi për pezullimin nga detyra të tre punonjësve të patrullës: Armando Bizhga, Dhimitër Gugu dhe Leons Cani.

 

Sipas hetimeve të AMP-së, ngjarja ka nisur gjatë orëve të mesnatës, pas një konflikti fizik mes personave që mbaheshin në dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Sarandës. Në situatë janë përfshirë më pas edhe tre punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë në ambientet ku ndodheshin të shoqëruarit.

 

Nga të dhënat e deritanishme të hetimit mësohet se situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa një prej punonjësve të policisë është mbajtur nga personat që ndodheshin në ambientet e shoqërimit për disa orë.

 

Tre punonjësit e policisë janë pezulluar nga detyra për veprime të dyshuara arbitrare, të cilat dyshohet se bien në kundërshtim me detyrën e tyre.

 

Situata është normalizuar vetëm pas ndërhyrjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, të cilat kanë mbërritur në ambientet e Komisariatit të Sarandës. Punonjësi i policisë që ishte mbajtur nga personat e shoqëruar është liruar në orët e para të mëngjesit.

 

Ngjarja ishte denoncuar fillimisht publikisht nga avokati Arben Llangozi, i cili ngriti akuza të tjera të rënda lidhur me rrethanat që çuan në incident.

 

Paralelisht me pezullimin e tre efektivëve, AMP Vlorë po vijon hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale.

 

Në fokus të hetimeve është mënyra se si u krijua dhe u përshkallëzua një situatë e tillë brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë Sarandë, veprimet e punonjësve të policisë gjatë ndërhyrjes, si dhe nëse ka persona të tjerë që mbajnë përgjegjësi për incidentin.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial