Çuçi i thotë Policisë: Jemi në sezonin e mbjelljes së kanabisit, kini vëmendjen!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi mblodhi sot pasdite në Lezhë strukturat vendore të policisë së qarqeve Lezhë, Shkodër dhe Kukës. Bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi kërkoi intensifikimin e punës dhe forcës goditëse kundër çdo tentative të kultivimit të kanabisit.

“Jemi në stinën e mbjelljes prandaj vëmendja e Policisë së Shtetit duke filluar që nga inspektorët bazë në terren dhe deri tek drejtuesit më të lartë duhet të jetë maksimale. Përveç monitorimit të përvitshëm që bëjmë nga ajri me mjete të Guardia di Finanza dhe me dronë, do të kemi shumë shpejt edhe pamjet e shërbimint satelitor për një kontroll të më plotë të territorit në të gjithë vendin”, ka thënë Çuçi.

Në vijim të fjalës së tij para drejtuesve të Policisë së Shtetit në këto qarqe, Ministri i Brendshëm kërkoi që strukturat vendore të policisë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave sidomos në zonat me risk të lartë, si dhe të kenë në vëmendje edhe format alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

“E rëndësishme është gjithashtu të mos keqkuptohet nga askush synimi ynë për legalizim të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore, që do të jetë një aktivitet i rregulluar me ligj të veçantë dhe i kontrolluar rreptësisht përmes kompanive që do të licencohen. Çdo formë tjetër e kultivimit të kanabisit konsiderohet aktivitet i paligjshëm e kriminal për të cilin do të ketë zero tolerancë”, u shpreh ministri Çuçi.

Ai i bëri thirrje çdo punonjësi policie t’i rezistojë të gjitha formave të tundimit apo presionit të mundshëm për të mbyllur një sy apo një vesh në mënyrë që t’i hapë rrugë kultivimit të kanabisit.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka detyrimin ligjor dhe të gjithë mbështetjen time e të qeverisë për t’i prerë rrugën çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që nuk vepron apo më keq akoma që implikohet në këtë aktivitet kriminal. Me vendosmërinë për të zbatuar ligjin në të gjitha hallkat dhe vullnetin e plotë për të mos neglizhuar asnjë element apo fazë të luftës së vazhdueshme kundër kultivimit të kanabisit, jam i bindur se do të thellojmë rezultatet shumë të mira që kemi arritur deri më tani në këtë fushë”, u shpreh ministri Çuçi.

Në ditët në vijim Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të zhvillojnë takime të ngjashme me strukturat vendore të policisë në qarqet e tjera të vendit. shqiptarja.com

Please follow and like us:
fb-share-icon