Denoncimi në Fiks Fare/ Reagon inxhinieri Andrea Baxheri: Fjalët e mia janë keqinterpretuar

Lidhur me rastin e transmetuar në emisionin fiks fare të datës 18.05.2020 “Prokuroria dhe ekspertët shpallin “fajtor” viktimën e aksidentit”, inxhinieri Andrea Baxheri ka reaguar me një email dërguar në Saranda Web:

Më datë 18.05.2020 emisioni Fiks Fare në Top Channel ka transmetuar rastin e një aksidenti të ndodhur në 9 dhjetor 2019 në fshatin Vrion në Sarandë me pasojë vdekjen e 75-vjeçarit Kosta Kaça me titull “Prokuroria dhe ekspertët shpallin “fajtor” viktimën e aksidentit” ku ndër të tjera ka transmetuar edhe disa fragmente audiovizive të një bisede të zhvilluar midis meje Ing. Andrea Baxheri dhe nipit të viktimës. Ky rast i transmetuar në Fiks Fare është botuar të nesërmen edhe nga disa gazeta si Gazeta “Shqip”, Gazeta “Panorama” dhe Gazeta “Tema” si dhe në portalin Saranda Web. Në mënyrë të përmbledhur emisioni Fiks Fare dhe gazetat që kanë botuar këtë rast thuhet se për ngjarjen e datës 9 dhjetor 2019, janë bërë dy akte ekspertimi të urdhëruara nga prokuroria e Sarandës. Në aktin e parë, të datës 3 shkurt të vitit 2020, eksperti ka përcaktuar se si viktima, ashtu edhe drejtuesi i mjetit ka qenë fajtor. Për të njëjtën ngjarje, prokuroria ka urdhëruar kryerjen e një riekspertimi. Kanë ardhur ekspertë të tjerë, ku ndryshe nga eksperti i parë, kanë përcaktuar se shpejtësia e automjetit ka qenë tej normave të lejuara, me një shpejtësi 76 km në orë. Por, ndryshe nga eksperti i parë, ekspertët e dytë (Ing. Mamir Hodo dhe Ing. Alred Hasanaj)kanë përcaktuar se, megjithëse shpejtësia ka qenë 76 km në orë, në këtë rast fajtor është viktima!

Referuar fragmenteve të bisedës audiovizive të transmetuar nga Fiks Fare midis meje dhe nipit të viktimës nga emisioni Fiks Fare, por edhe nga gazetat, që kanë botuar këtë rast është aluduar se: unë gjatë bisedës kam pohuar “…ekspertët e Tiranës mund të jenë paguar nga kompanitë e sigurimeve ,që të nxjerrë këtë përfundim…”.

Lidhur me këtë dua të sqaroj se: këto përfundime të nxjerra nga emisioni Fiks Fare dhe të botuara nga gazetat e sipërpërmendura janë të pavërteta. Biseda e transmetuar nga Fiks Fare midis meje dhe nipit të viktimës nuk është e plotë por vetëm fragmente të saj duke i nxjerrë deklarimet e mia jashtë kontekstit në të cilin jan thënë duke shtrembëruar fjalët e mia.

Dëshiroj të sqaroj se në asnjë moment gjatë bisedës unë nuk kam pohuar dhe as kam lënë të nënkuptohej se ekspertët që kanë kryer aktin e dytë lidhur me ngjarjen Ing. Mamir Hodo dhe Ing. Alfred Hasanaj mund të jenë paguar nga kompanitë e sigurimeve për të nxjerrë fajtor viktimën. Sigurisht që unë kam mendim të ndryshëm nga ata lidhur me rastin, por është krejt normale, që kur caktohen grup ekspertësh të ketë mendime të ndryshme midis tyre. Kjo është arsyeja pse organi procedues mund të urdhëroj riekspertim.

Duke qendruar në rastin konkret, dëshiroj të deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam asnjë indicie apo provë që kompromenton ekspertët Ing. Mamir Hodo dhe Ing. Alfred Hasanaj lidhur me përfundimet e tyre,pasi nuk e kam lexuar ekspertizen e tyre,per arsye se jane pas meje. Ai është mendimi i tyre profesional dhe unë e respektoj plotësisht edhe pse nuk kam mendim të njëjtë me ta. Të dy ekspertët në fjalë, veçanërisht Ing. Mamir Hodo me të cilin kam njohje të hershme, janë ekspertë profesionistë dhe me integritet të plotë, që e kanë treguar në çdo ekspertim që kanë kryer.

Theksoj edhe njëherë se në asnjë moment të bisedës time me nipin e viktimës as kam pohuar dhe as kam lënë të kuptohet se ekspertët mund të jenë paguar nga kompania e sigurimit apo të jenë kompromentuar në ndonjë formë tjetër. Këto janë aludime dhe spekulime të bëra nga gazetarët e emisionit Fiks Fare dhe gazetave që knaë botuar rastin në fjalë, të cilët kanë nxjerrë jashtë kontekstit fjalët e mia dhe kanë transmetuar vetëm fragmente të bisedës duke montuar vetëm ato pjesë që të mund të krijohej ideja se unë e kam pohuar një gjë të tillë.

Duke ju falenderuar!
Ing. Andrea Baxheri

Please follow and like us:
fb-share-icon