Gazetari Elton Qyno shprehet se ndalesa e fundit e biznesmenit të zhdukur, Ervis Martinaj, ka qenë Shijaku. I ftuar në studion e “Ora”, Qyno tha se Martinaj rrethohej nga efektivë të policisë së Shtetit, kryesisht të Forcave Operacionale, të cilët i paguante për ta ‘ruajtur’. Nisur nga kjo gjë, sipas gazetarit, nëse Martinaj është rrëmbyer apo vrarë, Policia e Shtetit është në dijeni të gjithçkaje dhe duhet të tregojë se çfarë ka ndodhur me biznesmenin. Edhe për efektivin e vënë në pranga si shoqërues i Martinajt, Jeton Lami, Qyno thotë se ka dijeni për gjithçka.
“E gjithë Forca Operacionale ka qenë në shërbim të këtij individi dhe jo vetëm. Ky individ ka qenë gjithë kohës i rrethuar nga Forca Operacionale, forca të ndryshme të Policisë së Shtetit. Sigurisht që ai për shërbimin i paguante. Nëse ai person është rrëmbyer e zhdukur, policia e Shtetit dhe vetë Jeton Lami kanë dijeni për gjithçka. Nëse është rrëmbyer, ata e dinë se ku ndodhet aktualisht. Nëse është vrarë, ata e dine ku është trupi. Mua më rezulton që pika e fundit e këtij personi është Shijaku. Pse këta policë që e kanë shoqëruar nuk shtrëngohen që të flasin e të tregojnë se ku e kanë çuar. Në cilën shtëpi? Kush e ka atë shtëpi? Ai ishte një njeri me peshë të rëndë, nuk është e lehtë të zhduket ky njeri e të inskenohen gjëra me ndarje në 6-7 copa,”- thotë Qyno.