Flukset e larta turistike, Kumbaro mesazh bizneseve: Bashkëpunoni për pastrimin e mbetjeve

Në vazhdim të inspektimeve në bashkitë bregdetare të cilat asistohen me një operator shtesë pastrimi, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u ndal në Vlorë, një prej bashkive bregdetare që për këtë sezon turistik veror mbështetet nga një operator shtesë pastrimi përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Gjatë inspektimit, ministrja Kumbaro theksoi se Vlora ka qenë një rast i vështirë për sa i përket punës për pastrimin e territorit krahasuar me bashkitë e tjera bregdetare që mbështeten nga ky projekt, prandaj operatori shtesë i pastrimit përveç bregdetit, po mbulon edhe një pjesë të qytetit, çka i takon bashkisë.

“Më duhet të them që Vlora ishte fronti më i vështirë krahasuar me Durrësin, krahasuar me Kavajën, me Sarandën, me Himarën edhe me Rrogozhinën sepse Vlora iu shtua paketës së pastrimit të plazheve të AKB-së këtë vit. Na rezultoi fronti më i vështirë dhe në një farë mënyre unë dua të falenderoj Agjencinë Kombëtare të Bregdetit që ka mbuluar edhe një pjesë të territorit të qytetit, që i takonte bashkisë për ta bërë”, u shpreh Kumbaro.

Në këtë periudhë kur flukset turistike pritet të rriten akoma më tej, sipas ministres Kumbaro puna më e madhe në Vlorë është ndërgjegjësmi, edukimi, komunikimi, por edhe ndëshkimi me gjoba. Ministrja Kumbaro u shpreh gjithashtu se në këtë proces, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me bizneset.

“Nga gjithë monitorimi që ne bëjmë të gjithë bashkë në 24 orë, problemin më të madh e kemi me bizneset. Dhe nëse do të duhet të përmirësojmë në mënyrë rrënjësore diçka, është komunikimi me bizneset. Dua t’u jap një mesazh bizneseve: Nuk mund të ketë turizëm, nuk mund të ketë shërbim në hoteleri, nuk mund të ketë shërbim në restorant ndërkohë që bizneset gënjejnë vetveten duke i marrë koshat e plehrave, duke i keqtrajtuar”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se për gjashtë muajt e parë të vitit 2023, numri i vizitorëve të huaj është 33% më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Kumbaro solli në vëmendje edhe ligjin që ndalon zhurmat e larta, duke i kërkuar kryetarit të Bashkisë Ermal Dredha që bashkia të përgatisë hartëzimin e territorit për të identifikuar zonat ku do të lejohet dhe ndalohet muzika e lartë, një proces ku përfshihen Policia e Shtetit, Policitë Bashkiake dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Please follow and like us:
fb-share-icon