SARANDA NEWS

spot_img

GENER-2 e Bashkim Ulaj “kullufit” 12 milion euro shtesë për skarpatet e Kardhiq-Delvinë

Kostot e rrugës Kardhiq-Delvinë dalin jashtë kontrollit. Vetëm pak ditë më parë firma GENER-2 e Bashkim Ulajt ka “kullufitur” tenderin e rradhës për këtë rrugë.

Nuk bëhet fjalë për disa miliona “të vogla” por për plot 12 milionë euro pa TVSH. Ndërtimi i këtij aksi rrugor prej vetëm 33 kilometrash, është shndërruar në një “kuçedër” të vërtetë që vetëm gllabëron para që nga viti 2007. Pra kanë kaluar gati 15 vjet që nga fillimi i punimeve dhe ende nuk shihet “dritë” në fund të tunelit.

Ndërkaq kostot e punimeve të këtij aksi rriten në mënyrë të frikshme çdo vit. Joq Albania ka denoncuar në vite tenderat pa fund që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka organizuar për këtë aks, të ndarë në 8 lote. Deri tani kanë përfunduar punimet për vetëm 16 kilometra për lotet 1, 2 dhe 3 ndërkaq punimet vazhdojnë ende në 5 lotet e tjera. Kjo rrugë është klasifikuar si e kategorisë B, e konceptuar me dy korsi dhe ka për qëllim shmangjen e Qafës së Muzinës duke shkurtuar në këtë mënyrë distancën mes Tiranës dhe Sarandës.

Por duket se milionat e eurove janë akoma të nevojshme për të vazhduar përpara. Në këtë mënyrë ARRSH ka hapur tenderin me numër reference REF-22066-03-15-2022 dhe me objekt “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë Loti 8 (Sistemimi dhe Rivitalizim i Skarpateve)”. Qëllimi i tenderit sipas ARRSH është që të mbrohen dhe stabilizohen skarpatet e lotit 8. Sipas dokumentacionit të tenderit rezulton se “GENER-2” ishte edhe fituesja e tij me ofertën prej 1,436,346,030 lekë të reja pa TVSH ose rreth 12 milionë euro pa TVSH.

 

Siç ndodh thuajse përherë në të tilla tendera, kjo shifër është thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.7%. Nuk dihet ndërkaq se edhe sa miliona euro të tjera do të gllabërojë përsëri kjo rrugë të cilës nuk po i vjen fundi prej 15 vjetësh.

Kujtojmë ndërkaq që kompania GENER 2 e Bashkim Ulaj u përmend edhe në tenderin famëkeq të Unazës së Re, ku një dokument aplikimi pranë QKB ekspozoi kompaninë e Ulajt gjatë regjistrimit të një Nipt-i sekondar për DH Albania. Bëhej fjalë për një tender në vlerë rreth 18 milionë euro i fituar në mënyrë anti-ligjore nga DH Albania, pas të cilës pati dyshime të forta se qëndronte vetë Ulaj. JOQ ALBANIA

Please follow and like us:
fb-share-icon
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

LAJMET E FUNDIT

Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial