Gruaja e kryeministrit digjet e gjallë pasi protestuesit i vunë flakën shtëpisë
Nepali është tronditur nga një ngjarje e rëndë, teksa gruaja e ish-Kryeministrit Jhala Nath Khanal ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike, pasi u dogj e gjallë kur protestuesit i vunë flakën shtëpisë së tyre. Lajmi është konfirmuar nga mediat rajonale, të cilat raportojnë se ajo nuk mundi të shpëtonte, pavarësisht përpjekjeve për ndihmë mjekësore.
Ngjarja e dhimbshme vjen në një kohë kur Nepali ndodhet në një krizë të thellë politike e shoqërore. Ndërtesa e Parlamentit të vendit, së bashku me shtëpitë e disa liderëve të tjerë politikë, janë djegur gjatë trazirave të ditëve të fundit.
Shkaqet e revoltës
Protestat, të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë e gjeneratës së re, nisën pas vendimit të qeverisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale. Masa drakoniane u pa nga qytetarët si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe shkaktoi reagim të menjëhershëm në rrugë.
Megjithatë, sipas analistëve dhe vëzhguesve rajonalë, pakënaqësia nuk lidhet vetëm me ndalimin e platformave digjitale. Shkaktarët kryesorë të zemërimit qytetar mbeten korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet e shtetit, mungesa e transparencës dhe pamundësia e të rinjve për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre.
Një vend në prag të kaosit
Dhuna e përshkallëzuar ka zhytur Nepalit në një gjendje alarmi kombëtar. Pamjet nga terreni tregojnë ndërtesa të përfshira nga flakët, turma të mëdha protestuesish dhe ndërhyrje të ashpra të forcave të rendit. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës, duke bërë thirrje për dialog dhe rikthim të qetësisë.
Nepali ndodhet përballë një prove të vështirë, ku zëri i të rinjve dhe kërkesat për ndryshim janë bërë më të fuqishme se kurrë, ndërsa tragjedia që goditi familjen e ish-kryeministrit Khanal mbetet simboli më i dhimbshëm i krizës që po përjeton vendi. SARANDANEWS