I shpëtoi atentatit një natë më parë, zbardhet dëshmia: Ishin dy persona me motor

Është zbardhur dëshmia e 25-vjeçarit Alban Bruçi që i shpëtoi një natë më parë atentatit në lagjen Rus në Shkodër. Bruçi në Policinë e Shkodrës ka deklaruar se ka qenë duke shkuar në shtëpi dhe kanë qenë dy persona që kanë marrë pjesë në atentat. Sipas dëshmisë së 25-vjeçarit ata kanë qenë me motor dhe i janë afruar pranë makinës, nërsa vetëm njëri prej tyre ka qëlluar më armë zjarri drejt tij.

Ai thotë se ka ecur pak metra me makinë dhe pastaj autorët janë larguar. Bruçi nuk ka marrë asnjë plumb dhe më pas ka shkuar në komisariat për të bërë denoncimin. Sipas dëshmisë, ai pretendon se nuk ka konflikte me askënd, ndonëse është një person me precedent të mëparshëm penal, pasi në 2016 është arrestuar pasi ka tentuar të kryejë një vrasje.

“Nuk i njoh autorët, isha duke shkruar në shtëpi. Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, ka thënë ai në polici.

Bruçi është qëlluar mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:00 në lagjen ‘Rus’ në Shkodër. Ai ka qenë duke lëvizur me një makinë tip ‘Audi A3’, me targa ‘AB 199 BA, kur është qëlluar me armë drejt tij, por fatmirësisht nuk e kapën plumbat. Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se më shumë se 20 gëzhoja pistolete janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët.

Emri i Alban Bruçit, nuk është i panjohur për policinë, kjo pasi në 2016 është arrestuar dhe akuzuar se në lagjen “Vojo Kushi” pas teatrit “Migjeni” ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit me iniciale A.J, i cili po udhëtonte me një automjet. Bruçi u akuzua për vrasje me dashje e mbetur në tentativë.

Please follow and like us:
fb-share-icon