Me pistoletë në brez, pronari i lokalit pikaset nga Policia, fshihet poshtë banakut

Blendi Rrogozhina, 44 vjeç, është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi është kapur me armë pa leje. Në momentin kur vuri re që po ndiqej nga Policia e Shtetit, 44-vjeçari tentoi të fshihej duke u futur në lokalin e tij për të fshehur edhe pistoletën. Mbi Rogozhinën tani rëndon vepra penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

NJOFTIMI I PLOTË:

Durrës/Goditje të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Vijon plani operacional i koduar “Terreni”, në kuadër të kontrolleve “blic”, të zhvilluara në të gjithë qarkun. Lëvizte me armë zjarri me vete dhe për t’i shpëtuar Policisë futet në lokalin e tij, me qëllim fshehjen e armës, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit fizik të arrestuarit iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri pistoletë, krehëri i saj dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të kontrolleve “blic” ndaj shtetasve e në ambiente të ndryshme, në qarkun e Durrësit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë vijuar planin operacional të koduar “Terreni”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi: – Blendi Rrogozhina, 44 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ky shtetas sapo ka evidentuar shërbimet e Policisë, është futur në lokalin e tij dhe ka tentuar të fshehë armën e zjarrit që mbante me vete. Ndërhyrja në kohë e Policisë ka bërë të mundur që arma e zjarrit pistoletë, krehëri i saj dhe municioni luftarak, t’i gjenden dhe t’i sekuestrohen menjëherë 44-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Please follow and like us:
fb-share-icon