Ministri i Financave mbledh Këshillin Tatimor: Në fokus goditja e nëndeklarimit të pagave! Me inteligjencë artificiale do të godasim evazionin
Ministri i Financave, z. Malaj, ka mbledhur së fundmi Këshillin Tatimor për të prezantuar strategjinë e të ardhurave për periudhën 2024-2027. Kjo strategji synon të përmirësojë mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore, me një fokus të veçantë në goditjen e fenomenit të nën deklarimit të pagave.
Gjatë takimit, ministri theksoi se një nga shtyllat kryesore të kësaj strategjie është përdorimi i inteligjencës artificiale për të luftuar informalitetin dhe për të rritur saktësinë e deklarimeve tatimore. “Komponent kryesor i kësaj shtylle është edhe dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale. Kjo do të na ndihmojë të rrisim deklarimet dhe të ulim informalitetin. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, ne do të rrisim gjithashtu profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësojmë investigimin e rasteve të shmangies tatimore,” theksoi ministri Malaj.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i mbledhjes ishte miradministrimi doganor. Ministri njoftoi se do të punohet në zhvillimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, në mënyrë që administrata doganore të ketë mundësi të bëjë një profilizim më të thelluar të riskut për subjektet tatimpaguese. “Duke rritur zhvillimin analitik të të dhënave, ne do të sigurojmë një rritje të qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave doganore,” shtoi ai.
Pas prezantimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave dhe Planit të Veprimit 2024-2027, mbledhja vazhdoi me diskutime të thella nga anëtarët e Këshillit Tatimor, ku u analizuan sfidat dhe mundësitë që ofron kjo strategji për të rritur transparencën dhe efikasitetin në sistemin tatimor shqiptar.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb