Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka zhvilluar pasditën e sotme një takim me prokurorët e rrethit gjyqësor Korçë. Në takimin e tij, Çela theksoi rëndësinë e mirëfunksionimit të seksioneve të krijuara për hetimin e krimit financiar, pastrimit të produkteve të veprës penale si dhe konfiskimin e aseteve me origjinë kriminale.
Më tej, kryeprokurori u kërkoi prokurorëve të ruajnë pavarësinë, jashtë çdo ndikimi ndaj faktorëve të ndryshëm. Ai shtoi se duhet shfrytëzuar çdo burim informacioni që lidhet me asetet kriminale, duke theksuar se nuk duhen neglizhuar lajmet e mediave, megjithatë vlërsoi punën e mirë të bërë nga Prokuroria e rrethit.
“Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes dhe informacioni që merret nga mediat. Kjo qasje është thelbësore për sukses, pasi nuk mund të keni rol pasiv. Dua të trajtoj edhe dy tre probleme të tjera mjaft të rëndësishme. Në korrik është miratuar udhëzimi me drejtuesit. Ky udhëzim garanton atë që ligji ia ka dhënë prokurorëve, sepse kërkon të garantojë pavarësinë në vendimmarrje. Përmes instrumentave, ne i kemi dhënë mundësinë çdo prokurori të mbrojë me fanatizëm pavarësinë e tij, ndërkohë që i kemi dhënë mundësinë drejtuesëve që t’i përdorin. Prokuroria e Korçës në këtë drejtim ka qenë model. Janë zbatuar rregullimet ligjore për këto marrëdhënie që janë mjaft delikate dhe kërkojnë vëmendje. Prokuroria e Korçës ka qënë model. Duhet të ruani pavarësinë ndaj ndërhyrjes ndaj çdo faktori të jashtëm në punën tuaj. Nëse do përmbushni detyrën tuaj me besnikëri ndaj ligjit, garancitë do të rrisin rezultatet dhe atë që na mungon, besimin e publikut. Nëse ne do arrijmë ta bëjmë këtë, puna juaj do vlerësohet maskimalisht. Reforma nuk përfundoi me krijimin e SPAK dhe as me zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme,“-tha ndër të tjera në fjalën e tij Çela.
Disa ditë më parë, Çela ishte dhe në Prokurorinë e Elbasanit, ku vuri në pah punën e vështirë të hetuesvë ndaj bandave kriminale që operojnë në qytet, ku edhe kërkoi më shumë punë nga vartësit e tij.