Parcelat e kultivuara me kanabis në qarkun e Vlorës kanë sjellë pezullimin nga detyra të 22 oficerëve të policisë. Me urdhër të ardhur nga Tirana, Report Tv mëson se janë pezulluar nga detyra inspektorë zonash dhe shefa në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Mes të pezulluarve nga detyra është drejtuesi i Komisariatit të Vlorës, Edmond Pjetri dhe atij të Himarës, Arjan Tase, shefi i krimeve në Himarë, shefi i stacionit policor në Selenicë.
Kjo “furtunë” te blutë e qytetit bregdetar vjen pak ditë pas operacionit të bërë ku nga kontrollet e territorit nga toka dhe ajri, me dronë u evidentuan parcela me kanabis, më konkretisht në fshatrat Bolenë dhe Vërmik të Vlorës. Për pasojë u arrestuan dy kryepleqtë e fshatrave D. M., 69 vjeç banues në Bolenë, K. Ll., 47 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Vlorë.
Në pranga ra edhe inspektori i zonave të mbrojtura në Bolenë I. Gj., 64 vjeç, e ndërsa u procedua në gjendje të lirë A. K., 55 vjeç, banues në fshatin Ramicë, Vlorë, inspektor i pyjeve dhe kullotave në fshatin Vërmik, Vlorë.