Report Tv ka siguruar detaje të tjera nga rrëfimi i vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj për atentatet që do kryenin me porosi të Kasandro Nogës, i arrestuar në Belgjikë ndërsa është ndër personazhet më të njohur në botën e krimit.
Rrrëfimi i Indrit Beqiraj zbulon planin e eliminimit të Geron Hasanbelliut duke treguar se shuma e premtuar për ekzekutimin e tij ishte 100 mijë euro. Së bashku me ‘killerin’ e besuar të Kasandro Nogës dhe mikun e tyre Kevin Zeneli, kishin ndjekur lëvizjet e Geronit për 10 ditë por s’ia kishin dalë ta ekzekutonin. Indriti tha se nuk qëllonte të martën duke thënë se e kishte ters, ndërsa vrasjen planifikoi ta kryente të mërkurën, por Geron Hasanbelliu nuk shkoi më në lokalin që frekuentonte.
Vëllezërit Beqiraj dyshonin se i kishte tradhtuar Ilirjan Feçi dhe vendosën që të flisnin me Kasandër Nogën përmes Kevin Zenelit, të cilin e porositi që të vrisnin nipat e Geronit për 50 mijë euro. Edhe ky atentat dështoi pasi kur i vunë në shënjestër, ndodheshin në zonën e populluar të Astirit. Po ashtu, dyshojnë se i tradhtonte edhe Kevin Zeneli pasi Indriti tregon se i gënjente se nuk kishte efektivë policie pranë kioskës së nipërve të Geronit. Ata hoqën dorë nga ekzekutimi nga frika se Kevin Zeneli do t’i shiste. Por, Kevin Zeneli zgjodhi që të vepronte pa vëllezërit Beqiraj dhe më 4 janar të vitit viti 2022, pas porosisë së Kasandro Nogës për vrasjen e Geron Hasanbelliut, ngatërroi objektiv duke vrarë Erion Çelën.
“Ilirjan Feçi na premtoi 100 mijë euro për të ekzekutuar Geron Hasanbelliut. Ilirjani dhe Kevin Zeneli e kishin ndjekur 2-3 herë por nuk kishin mundur ta ekzekutonin. Më dhanë 2 mijë euro për një banesë me qira afër zonës ‘Don Bosko’ te lokali Fokus. Për 10 ditë, që prej orës 07:30 kemi ndjekur në distancë lëvizjet e tij. Ilirjani kërkonte me instistim që të kryenim vrasjen. Mësuam se Geroni vinte në lokal rreth orës 17:30.
I thashë të martën e kam ters, nuk e vras, do gjuaj të mërkurën. Geroni erdhi mëngjesin e të hënës, piu kafe dhe pasdite nuk erdhi më. Pasi diskutova me vëllain dhe me Kevin, dyshuam se na kishte tradhtuar Ilirjan Feçi. Pasi larguam Fecin se dyshonim se na shiti, Kevin Zeneli foli në aplikacionin Signal me ‘fratelon’ (nofkë që i kishin vënë Kasandër Nogës). Ai urdhëroi të vrisnim nipat e Geronit pasi ky i fundit s’vinte më në atë lokal. Për nipat do merrnim 50 mijë euro.
I lokalizuam në një dyqan Tabachino pranë zonës së Astirit, por kishte shumë njerëz dhe nuk qëllova. Kevin Zeneli na gënjente për vëzhgimin e 2 nipave të Geronit në kioskën e tyre ‘Astir’. Zeneli na thoshte s’ka policë pranë kioskës së nipave të Geronit, por ishte e kundërta. Kevin Zeneli na thoshte se nipat e Geronit ishin vetëm, por ata ishin me 4-5 shokë. Hoqa dorë nga vrasja pasi Kevin Zeneli më gënjente, kisha frikë se më shiste”, rrëfeu Indrit Beqiraj.
Gjithashtu Indrit Beqiraj, ka folur për marrjen peng më 3 tetor. Ai së bashku më vëllanë patën një konflikt me disa persona të tjerë në autostradën Tiranë-Durrës dhe më pas u arrestuan nga policia. Personat që e morën peng ishin shqetësuar se kishte shkuar me Gentianin në lokalin e tyre, por nuk i njihte. Edhe ‘Rrumin e Shijakut’ thotë se nuk e njihnin dhe nuk kishin plan për ta ekzektuar.
“Më mbajtën disa djem që si njoh për 20 ose 30 min me një BMW x3. S’më bënë asgjë, thjesht ata ishin të shqetësuar pse kishim shkuar në lokalin e tyre në zonën e Sukthit. Lokal të cilin sa di unë e ka Landi Muharremi Rrumi që e njoh nga televizori. Me të s’kam asnjë problem e ai s’lidhet me asnjë nga ngjarjet dhe krimet që dua të shpjegoj”, tha Beqiraj.
Sipas policisë, personat që e morën peng, lanë në rrugë Indrit Beqirajn, braktisën automjetet dhe u larguan në këmbë. Kjo përplasje solli arrestimin e vëllezërve Beqiraj, të cilët rrëfyen ngjarje të rënda kriminale nga të cilat u realizua operacioni ‘Porositësi’ që solli shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me vrasje me pagesë.