“M/Y Saga”, një jaht luksoz 40 metra i gjatë është mbytur ditë e shtunë, më 20 gusht në Gjirin e Squillace, rreth 9 milje detare larg brigjeve të Catanzaro Marina në jug të Italisë.
Teksa po lundronte pranë gjirit të Squillace, u shfaqën probleme dhe kapiteni dha alarmin për rojën bregdetare me anë të një telefonate.
Kur mbërriti ndihma nga roja bregdetare, jahti ishte gjysmë i zhytur në ujë. 4 pasagjerë u evakuuan menjëherë, ndërsa anëtarët e ekuipazhit tentuan të shpëtonin jahtin luksoz, por nuk i dolën dot.
“Saga” u ndërtua në Itali në 2007. Superjahti me lëvore çeliku mbante flamurin e Ishujve Kajman dhe ajo po lundronte nga Gallipoli në Milazzo me një ekuipazh me shtetas italianë, të cilët u shpëtuan të gjithë.