Përdhunimi i 11-vjeçares, kërkohet ashpërsim i ligjit për dhunuesit e fëmijëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy prej pesë të dyshuarve për dhunimin e të miturës 11 vjeçare.

Ndërsa, për përdhunuesit, Rrjeti i Grave të Kosovës po kërkon dënim maksimal. E mitura e cila u dhunua nga 5 persona aktualisht ndodhet në nën kujdesin e autoriteteve.

Zëdhënësja për median në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se njëri nga të arrestuarit është i mitur, kurse tjetri është i moshës madhore.

Sipas saj, Prokuroria bashkë me të gjitha institucionet relevante kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Me urdhër të prokurores kujdestare nga departamenti për të mitur e njëjta ka ndaluar dy persona të përfshirë në këtë rast. Njëri prej tyre është i moshës madhore, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa personi tjetër i dyshuar i mitur, është ndaluar në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale të dhunimit e paraparë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës….Fatkeqësisht viktima në këtë rast është e mitur. Ndaj këtij rasti Prokuroria bashkë me të gjitha institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që ta sqarojnë në plotni këtë çështje penale….Aktualisht veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë dhe varësisht prej hetimeve edhe do t’iu mbajmë të njoftuar”, theksoi ajo.

E nga Rrjeti i Grave të Kosovës thonë se raste e tilla po tregojnë se institucionet e Kosovës nuk po punojnë sa duhet në trajtimin e dhunuesve.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës(RrGK) tha se si organizatë nuk kanë shumë informacione për viktimën, përveç asaj që ajo është e sigurt dhe se tani ndodhet në strehimore.

Breznica u shpreh se sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth 70% e rasteve që kërkojnë ekzaminim për dhunim janë të mitura.

“Padyshim që është e frikshme dhe e trishtë kur ne shohim lajme të tilla…madje edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore tregon se 70 % të rasteve që kërkojnë të ekzaminohen në këtë institut janë të mitura dhe kjo na lënë shumë të kuptojmë se si institucionet tona vazhdojnë t’i trajtojnë rastet e dhunimit dhe abuzimit seksual, sidomos kur kemi të përfshirë të mitur…ne e dimë që rasti është i strehuar dhe është i sigurt tani për tani, por nuk kemi të dhëna më tutje”, u shpreh Breznica.

Breznica tha se është shumë shqetësues fakti se deri tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar, kurse tre të tjerë janë në liri.

Ajo kërkoi nga institucionet e Kosovës që për dhunuesit të japin dënime meritore sipas Kodit Penal të Kosovë dhe ligjeve tjera.

“Rastet e tilla duhet të dënohen apo duhet të dalin menjëherë në paraburgim dhe jo të lirohen brenda 24 apo 48 orëve. Deri në vendimin e gjykatës, personat e dyshuar duhet të jenë në arrest të plotë. Gjithashtu, për Rrjetin e Grave është mjaftueshëm shqetësuese fakti që deri tani vetëm dy nga të dyshuarit janë të arrestuar, ndërsa tre të tjerë vazhdojnë të jenë të lirë…..duke qenë që vazhdimisht kemi rast në rritje, vlen të theksohet se institucionet tona nuk janë duke punuar mjaftueshëm me trajtim të dhunues apo duke dhënë dënime meritore për raste të tilla…institucionet tonë duhet të punojnë më shumë dhe duhet të japin dënime meritore sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës apo ligjeve të tjera”, tha ajo.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila duke e konsideruar si akt çnjerëzor kërkoi hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës. Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët. Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra. Për fat të keq, në raste të caktuara, për vite me radhë, mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha po ashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve .Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, ka shkruar ajo në Facebook.

E në raportimin 24 orësh të Policisë së Kosovës ishte raportuar edhe për një rast tjetër të dhunimit në Fushë-Kosovë.

Please follow and like us:
fb-share-icon