Përndiqte 24-vjeçare përmes llogarive false në Facebook e Instagram, arrestohet 33 vjeçari

Një 33-vjeçar është vendosur në pranga pasi akuzohet se përndiqte një 24 vjeçare nga Durrësi nëpërmjet llogarive false në rrjetet sociale ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’.

Gjatë kontrollit në banesën e të riut në Fushë Mamurras, të identifikuar si Gentjan Mema, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë.

Pas depozitimit të kallëzimit të një shtetase 24 vjeçare nga Durrësi në vitin 2023 mbi shqetësime të vazhduara nga llogari të ndryshme të fallsifikuara në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike,  në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila regjistroi procedimin për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit që hapte këto llogari në rrjetet sociale, si dhe është siguruar informacion se ky shtetas mbante armë zjarri, pa leje. 

Mbi bazën e provave të siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka urdhëruar kontrollin e banesës së shtetasit Gentjan Mema i dyshuar për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe për armëmbajtje pa leje.  

Nga kontrolli i ambienteve të banesës së këtij shtetasi, në Fushë Mamurras, Kurbin, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Please follow and like us:
fb-share-icon