Është identifikuar autori i ngjarjes në Kamzë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 16-vjeçar. Mësohet se 18-vjeçari Armir Hasa është shpallur në kërkim, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i Policisë:
Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, ditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “OSBE”, në Kamëz, një shtetas ka plagosur me armë zjarri një 16-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë identifikimi i autorit të ngjarjes, shtetasit 18 vjeç, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, rreth orës 16:10, ka plagosur me armë zjarri në këmbë, një 16-vjeçar.
16-vjeçari si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.